Në një lidhje “Skype” nga Brukseli, gazetarja Erisa Zykaj sqaroi në “A Show” në Syri TV mesazhin e dhënë nga BE-ja për zgjedhjet e 25 prillit në vendin tonë.

Sipas gazetares Zykaj, vendet anëtare të BE-së nuk mund të qëndrojnë symbyllur për parregullsitë dhe shkeljet në procesin zgjedhor në vendin tonë.

“Mesazhi që erdhi sot nga presidenca portugeze e Bashkimit Europian është që këto probleme kanë të bëjnë me shtetin ligjor dhe patjetër do të marrim në konsideratë të gjitha problemet kur të bëjmë analizën e përgjithshme. Pra, nëse ne e zbërthejmë përgjigjën që dha Sekretarja e Shtetit e Portugalisë i bie që ka një shqetësim të vërtetë nga anëtarët e BE-së, që janë njohur me parregullsitë dhe shkeljet që janë bërë në zgjedhjet e 25 prillit”, tha Zykaj.

“Këto parregullsi dhe shkelje janë raportuar në OSBE/ODIR. Pavarësisht se sot presidenca portugeze nuk mund t’i referohet zyrtarisht zgjedhjeve në Shqipëri, pasi pritet certifikimi. Ky certifikim duhet të vijë më 28 maj. Në mënyrë të qartë ajo tregoi se këto janë problematike që lidhen me shtetin ligjor”, shtoi gazetarja në lidhje “Skype” nga Brukseli.

“Përdorimi i administratës publike, përdorimi i administratës lokale dhe burime të tjera që janë keqpërdorur nga qeveria për të influencuar te zgjedhësit, janë shqetësim që ngrihen për zgjedhjet në Shqipëri.

Një tjetër shqetësim është edhe rrjedhja e të dhënave personale, por edhe praktikimi masiv i shitblerjes së votës.

Këto përbëjnë një problem që shtetet anëtare të BE-së kurrsesi nuk mund të rrinë symbyllur.

Fillimisht do të duhet të flasë OSBE/ODIR dhe më pas të marrin fjalën vendet e BE-së dhe institucionet e Bashkimit Europain.

Çështjet që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, do të jenë në qendër të analizës totale të procesit”, deklaroi Erisa Zykaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu