Mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste në Sarandë mbrëmjen e kaluar u shoqërua me shumë debate dhe tensione. Burime për ‘PanoramaTv’ bëjnë të ditur se shkak i debatit mes anëtarëve dhe deputetëve është bërë kandidatura për kryetar bashkie.

Debati mes anëtarëve të Asamblesë së PS nisi pasi mbi 90% e tyre, dolën në mbështetje të kandidaturës së kryetarit aktual të bashkisë, Adrian Gurma duke dalë kundër qëndrimit të të deleguarit Blendi Klosi, i cili mbështeti kandidaturën e Oltion Çaçit.

Ata e kanë quajtur “kandidaturë të importuar atë të Oltion Çaçit”, i cili sipas tyre nuk ka asnjë lidhje me Sarandën. Anëtarët janë shprehur se: Ai është nga Tepelena, e nuk ka asnjë lidhje me PS në Sarandë, pasi nuk ka qenë aktiv në degën lokale”.

Gjatë mbledhjes, përveç Adrian Gurmës dhe Oltion Çaçit, janë propozuar edhe emrat e Gjergji Mërkurit dhe Dhonat Kotes, si kandidatura të mundshme.

Mërkuri është regjistruar para pak ditësh si i pavarur në KZAZ e Sarandës. Kryesia e PS do të marrë në shqyrtim kandidaturat e propozuara dhe pritet të shpallë në datë 25 Mars emrin e kandidatit që do garojë.