Ashtu siç ishte paralajmëruar, në prag të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, kryetari i partisë dhe kryeministri Edi Rama, ka thirrur ditën e sotme mbledhjen e grupit parlamentar socialist në një takim informal në periferi të qytetit të Elbasanit.

Mësohet se në fokus të këtij takimi do të jenë zgjedhjet e vitit 2021 dhe Rama do të kërkojë nga deputetët që të ndezin motorët për nisjen e fushatës elektorale, që në muajin shtator. Në këtë mbledhje do të vendoset edhe thirrja e Asamblesë Kombëtare, e cila do të nisë punimet këtë javë.

Këtë vit Asambleja nuk do të mblidhet siç ka ndodhur në vitet e kaluara, pra në një sallë me 350 anëtarët, si pasojë e kushteve të pandemisë. Të 350 anëtarët do të grupohen në Tiranë, Fier e Shkodër në ambiente të hapura, të cilat do të lidhen online me njëra- tjetrën përmes ekraneve.

Nga kjo mbledhje do të dalë dhe kryesia e re e Partisë Socialiste, e cila do të udhëheqë fushatën për zgjedhjet në pranverës së ardhshme. Gjithashtu do të përcaktohet edhe përzgjedhja e kandidatëve për deputetë. Në këtë pikë, ndryshe nga Partia Demokratike e cila po kryen një proces të fortë përzgjedhës, PS, nuk ka ndonjë strategji të re dhe gjithçka që dihet deri më tani për mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve për deputet është ajo që deklaroi Taulant Balla, se do të bëhen “nëpërmjet një konsultimi të gjerë me bazën socialiste”.

Por nga ana tjetër mësohet se në fakt ka nisur puna për përzgjedhjen, rreth më rreth, të atyre që do të garojnë për PS-në në zgjedhjet e ardhshme. Po piketohen njerëz të cilët kanë vetë ose përreth, fuqi të mëdha financiare si dhe ndikim dhe lidhje të nëndheshme me botën e krimit, të shndërruar gjatë 2 madateve të Ramës në “biznesmenë”.

Në këtë kuadër mesohet se janë thirrur të gjithë biznesmenët që kanë fituar mijëra tendera “të sigurt” gjatë këtyre 8 viteve dhe u është kërkuar që të propozojnë kandidatë për deputetë duke premtuar se si detyrim, do t’i mbështesin fuqishëm financiarisht.

Gjithashtu mësohet se në hierarkinë e administratës publike, ka nisur kontaktimi i të gjithë drejtorëve dhe shefave, të cilët kanë udhëhequr sektorë ku bëhet “leku i madh” apo ku ka shumë të punësuar. Të gjithëve po iu bëhet të qartë, që ka ardhur koha që një pjesë të mirë të parave të fituara nga korrupsioni, apo të ndereve me punësime, duhet që të rikthehen mbrapsht, si investim për fushatën elektorale.

Vetë Taulant Balla ka nisur një turne të gjerë takimesh, duke i përcjellë kësaj kategorie drejtuesish institucionesh, si dhe qindra biznesmenëve përfitues të mëdhenj nga paratë dhe punët publike, porosinë e Edi Ramës që e konsideron betejën elektorale pranverën që vjen; “për jetë a vdekje”.

Madje mësohet se për shumë prej këtyre drejtorëve dhe `biznesmenëve` të shndërruar në miliarderë gjatë këtyre viteve ka pasur edhe kërcënime të hapura, duke i paralajmëruar se nëse nuk kthejnë mbrapsht në funksion të zgjedhjeve një pjesë të mirë të fitimeve, atëherë i pret burgu përpara se kjo gjë të ndodh me qeverinë e re të dalë pas fitores së opozitës aktuale.

Një nga pikat e tjera që po pritet me ankth veçanërisht mes `rilindësve` me rastin e mbajtjes së Asamblesë Kombëtare është edhe ajo, për ndryshime të shumta në kabinetin qeverisës.

Ka ankth dhe pasiguri mes ministrave aktualë, sepse përveç Edi Ramës dhe një rrethi të ngushtë të tij që më së shumti janë figura biznesi jashtë partisë, askush nuk ka dijeni për fatin e tyre në vazhdim.

Edhe Taulant Balla, që është shndërruar së fundmi në krahun e djathtë të Ramës në parti dhe jo vetëm, kur u pyet nga mediat për këtë çështje, deklaroi se ndryshimet në qeveri i takojnë vetëm kryeministrit.

“Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste mbështet tërësisht qeverinë. Në të gjitha fushat që mbulojnë ministritë përkatëse ne kemi ecur dhe kemi bërë reforma shumë të rëndësishme, megjithatë ky është një vendim që i takon kryeministrit i cili drejton qeverinë ”, tha ai pak ditë më parë.

Gjithsesi nga mediat pranë kryeministrit dhe burime afër tij është mësuar dhe lënë për të kuptuar, se Edi Rama do të bëjë ndryshime të forta në Kabinet duke tentuar që t’i bëjë qeverisë një makiazh të fortë elektoral. Mësohet se do të largohen mjaftë ministra, që nuk kanë asnjë lidhje tradicionale me Partinë Socialiste dhe ata që kanë çështje flagrante korrupsioni.

Pra, përveç strategjisë së mësipërme për të aktivizuar me shuma të mëdha parash dhe ndikim të gjithë ata që përftuan miliarda nga pushteti i `Rilindjes` këto 8 vite; krimit që po mbahet nën shantazh dhe nën monitorim nga `OFL` duke e kërcënuar me pasuritë, rikthimi i flamurit të PS që ishte zëvendësuar nga ai mavi i Rilindjes, do të jetë një nga strategjitë e Ramës. Gjithmonë nuk harrohet si një nga strategjitë kryesore edhe përçarja e opozitës, si dhe helmimi i opinionit publik nga shumica e medieve të cila kontrollohen nga Rama dhe drejt të cilave është menduar që të hidhen posaçërisht për zgjedhjet, shuma të mëdha financiare.

E gjitha kjo në përpëlitje për të rikonfirmuar pranverën e ardhshme jo thjesht pushtetin e tij absolut, por më shumë si një tentativë e fundit për tu mbrojtur së bashku me organizatën e gjerë klepto-kriminale që instaloi, nga ndëshkimi penal dhe pasuror.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu