Zbardhet dëshmia e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, i cili prej disa orësh dha sot llogari para SPAK-ut. Jane zbuluar detaje nga marrja në pyetje e Kokës, i cili qëndron pas hekurave për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

“Nuk kam shpërdoruar detyrën. Kam zbatuar të gjithë procedurën dhe kërkesat ligjore. Për shpronësimin, është ngritur një Komision i Posaçëm.”, mësohet të shprehur ish-ministri.

Mësohet se Koka është pyetur në lidhje me procedurat e ndjekura për inceneratorin e Fierit. Lidhur me akuzën për “korrupsion”, Koka ka pretenduar se nuk ka asnjë lidhje apo ndikim në kompanitë që kanë marrë para për kryerje punimesh në incenerator.

“Mospublikimi i ofertës tenderuese në fletoren europiane është bërë për shkak se në rastin në fjalë nuk parashikohej në ligj.”, është shprehur më tej në dëshminë e tij ish-ministri.

SPAK akuzon Kokën se ka përfituar ryshfet në vlerën e 3.7 milionë eurove nëpërmjet kompanive fiktive të zotëruara nga familjarë dhe të njohur të tij. Hetimet disa mujore zbuluan se Lefter Koka favorizoi pronarët dhe administratorët e kompanisë lidhur me koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.