Nga Ylli Manjani

Fakt është që zgjedhjet e 25 prillit janë zgjedhjet e dyta më të vjedhurat, pas atyre të vitit 1996.

Më shumë se të blera, zgjedhjet janë të vjedhura. Të vjedhura me ligj. Me ligj të diktuar dhunshëm nga partia moniste në pushtet.

Republika e Ambasadorëve ra squk, kur “i dashuri i tyre” ua grisi ligjin konsensual të zgjedhjeve dhe miratoi ligjin monist të vjedhjeve.

Natyrisht nuk ishte detyra e tyre të na bënin ligje, por mund të mos ofronin garanci nëse nuk i kishin. Dhe kur dështuan, duhet të kishin vënë gishtin tek ai që i përzuri dhe i injoroi. Nejse, punë për t’a.

Sidoqoftë fakti mbetet fakt: Zgjedhjet u vodhën. U vodhën me ligj. Dhe ky fakt nuk mbulohet as me opinione, as me stërvitje ushtarake, as foto me Erion Velinë&co. Nuk mbulohet madje as me vizën e hequr politikisht për Berishën e as me vizat e Ramës…

Pranimi ose jo i këtij fakti, pra i vjedhjes së zgjedhjeve, do të përcaktojë të ardhmen e afërt të bashkëpunimit politik në vend. Bashkëpunim (jo koalicion) për të cilin vendi ka nevojë. Të tjerat janë garnitura që nuk i shërbejnë Shqipërisë politike.

Dhe 6 rregulla për të zhdukur formulën e hileve

Sa herë përmend fjalët “kemi nevojë për rregulla të reja zgjedhore” kam parasysh:

1.Votim në sistem Proporcional të Thjeshtë Kombëtar. Pra votohet gjithandej njësoj, pa ndarje zonash e gerrymndering. Në fund, partitë marrin aq mandate sa proprocionalisht u jep populli. Pa bonuse e pa hilé.

2.Parlamenti zvogëlohet në 100, maksimumi 120 deputetë.

3.Pragu elektoral 2%.

4.Listat e hapura, nëse votimi bëhet elektronik.

5.Votim elektronik, jo në internet, shmang edhe pavlefshmërinë e votës por edhe pushtetin e komisionerëve. Rezultati del shpejt.

6.Nëse duam ta thellojmë më tej reformën edhe për efekt të stabilitetit institucional, krijohet një dhomë Senati me 20 senatorë. Këta zgjidhen në votim mazhoritar, si përfaqësues të 4 apo 5 rajoneve të mëdha.

Këto unë i quaj realisht ndryshim rregullash loje dhe vendosje të të gjithë garuesve në pozita të barabarta.

Me këto rregulla vendos populli jo formulat e hileve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu