Vizita e parë e kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti ishte pritur me mjaft interes nga mediat, edhe pse axhenda ishte shumë e ngjeshur. Por edhe pse ishte një ditë e ngrohtë në Tiranë, sërish mes kryeministrit shqiptar dhe homologut kosovar nuk pati asnjë moment ngrohtësie.

Pamjet e para tregonin Edi Ramën të akullt, teksa shoqëronte kryeministrin e ri me nderimet e larta. Takimi zgjati më shumë nga sa ishte menduar dhe konferenca për shtyp vazhdoi të ishte sërish e akullt.

Kurti foli për nevojën e një Makro-Shengeni shqiptar, por askush nuk e kishte menduar përgjigjen brutale të Edi Ramës, i cili tha se marrëdhëniet mes shqiptarëve duhet të kalojnë përmes Mini-Shengenit ballkanik. Kurrë më parë nuk ishte parë një konferencë për shtyp me një tension të tillë mes dy shqiptarësh.

Kurti u largua me nxitim për të vazhduar takimet, ndërkohë që shumë shpejt u bë e ditur se ai nuk do të takonte kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn. Ky i fundit kishte bërë gjithçka gati, kishte lajmëruar edhe transmetim live.

Zyrtarisht u tha se agjenda e ngjeshur u bë shkak për këtë anulim, por u duk se lajmi nuk ishte pritur mirë nga Veliaj. Ky i fundit foli për një portal kosovar, duke thënë se tashmë nuk kishte kohë ta priste Kurtin, edhe pse ishte bërë fakt i kryer anulimi.

Kurti mund të mos e ketë ditur se çfarë reagimi do shkaktonte ky anulim, por ai u shfaq më pas në zyrën e kreut të opozitës shqiptare, Lulzim Basha. Të dy biseduan kokë më kokë, pa praninë e të tjerëve për rreth 20 minuta. Më pas folën edhe për median, ndërkohë që ky u duk i vetmi normalitet në këtë ditë shkurti në Tiranën politike.

Kur iku, Kurti bëri një postim në anglisht në rrjetet sociale, duke thënë se ka qenë gjithmonë këtu dhe nuk është larguar.

Një zyrtar kosovar i kujtoi atij se Shqipëria mëmë i ka vënë më shumë barriera ekonomike Kosovës se shumë vende të tjera. Dikush shkroi me ironi se mes dy vendeve janë nënshkruar plot 77 marrëveshje, por asgjë nuk ka lëvizur.

Një tregues se shumë gjëra duhen rregulluar, por askush nuk e kishte menduar se kryeministrat shqiptarë do ishin kaq të akullt dhe kaq të ndarë. Gjithmonë për faj të kryeministrit shqiptar, që as emrin e Serbisë nuk guxon ta përmendë më.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu