Nga Panajot Çakalli

Kur parashtrohet çështja e virtytit në shoqërinë njerëzore, problematika në vend që të thjeshtohet për të shkuar drejt zgjidhjes, ajo komplikohet për të humbur në debatet e pafundme morale, etike, politike ,fetare dhe filozofike të njerëzve të ndryshëm. Dhe kështu në këtë prizëm mungon një definicion i qartë rreth asaj që quhet virtyt. Shpesh ky koncept lidhet me nocionin e vlerës, hera-herës me atë të së mirës, ose e thënë ndryshe si një antipod i së keqes, pra i vesit. Dukshëm në teori dhe në praktikë ne e kemi të pamundur të kuptojmë qartësisht dhe plotësisht virtytin pa marrëdhënien e tij dialektike me vesin. Në këtë kontekst, kur flasim për “virtyte” diktatorësh nuk ballafaqohemi me asnjë absurditet: vetëm nga njohja dhe mohimi i mëpasshëm i vesit mund të kuptohet vlera e virtytit që duhet të sundojë te ne.

Përgjatë historisë, diktaturat janë shpalosur si një anomali e zakonshme. Sot që flasim, duke përfituar nga relativizmi moral që e çon çdo shoqëri në amoralitet, neodiktatorët shprehen hapur se nuk ekziston e mira dhe e keqja. Për ta ekzistojnë vetëm të fortët dhe të dobtit që nënshtrohen. Në këtë kontekst mungesa e kufizimeve morale e shndërron sundimin e tyre në tiraninë më të keqe, e thënë në gjuhën aristoteliane, në një kakistokraci. Po si mund të kalojë shoqëria nga tirania në kakistokraci?

Në momentin kur lindi domosdoshmëria e krijimit të formacioneve të para politike, koncepti klasik i shtetit nuk nënkuptonte gjë tjetër veçse untitetin e tre elementeve: një territori të kufizuar, popullit që flet një gjuhë të caktuar dhe të një aparati dhune që kryente paralelisht tre funksione: mbrojtjen, garantimin e rendit e sigurisë dhe pasurimin e udhëheqësit dhe klanit të tij. Këto funksione u bënë motive të zgjerimit territorial, të krijimit të mbretërive në fund të mijëvjeçarit IV p.k dhe të perandorive në mijëvjeçarin III p.k. Qartazi pra, tirania ishte forma e parë e qeverisjes në historinë politike të njerëzimit. Të shpresojmë,jo e fundit.

I. TIRANIA TEOKRATIKE
1. Perëndia-Mbret
Në Egjiptin e Lashtë, por edhe në vendet e tjera të Lindjes, Faraonët konsideroheshin dhe nderoheshin si perëndi. Duke vështruar piramidat egjiptiane, njerëzit modernë nuk e konceptojnë dot se ato janë ndërtuar nga njerëzit e lirë si shenjë nënshtrimi ndaj perëndisë që mbretëron. Ata i quajnë skllevër, edhe pse nuk kanë lindur të tillë, edhe pse nuk ishin robër lufte, edhe pse nuk ishin të zhytur në borxhe. Pavarësisht debatit konceptual për gjendjen e tyre juridike, egjiptianët ishin të lirë vetëm në teori. Një nënshtrim i tillë ndaj Zotit-Sundimtar dhe pushtetit të tij politik nuk është gjë tjetër veçse skllavëri.

2. Mbreti-Perëndi

Aleksandri i Madh i Maqedonisë e ilustron plotësisht këtë rast. Më shumë duke u ndikuar nga kultura perso-egjiptiane e Orientit, se sa nga mësimet aristoteliane të Oksidentit, ai u brumos me idenë se pushtimet dhe lavdia e bënë Perëndi në Botën Antike. Për pasojë, edhe në këtë rast, e vetmia qenie që ishte e lirë ishte Mbreti-Zot. Të tjerët ishin skllevër të revoltuar. Kjo në thelb e bëri perandorinë aleksandrine të paaftë për t’i rezistuar kohës. Kështu ajo u shemb si një kështjellë prej letre me vdekjen e tij.

3. Perandori- Pontefix Maximus

Në Romën e Lashtë, në shekujt e ekzistencës së perandorisë së saj të stërmadhe, pavarësisht përpjekjeve të disa perandorëve si Domiciani apo Diokleciani për t’u quajtur “dominus et deus” (“zot dhe perëndi”), përsëri përgjithësisht perandori mbeti një kryeprift, pa qenë nevoja për t’u shpallur perëndi. Përpjestimi i pushtetit mes perandorit dhe Senatit i dha jetëgjatësi dhe prosperitet Perandorisë Romake. Perandori ishte i gjithëfuqishëm, por pushteti i tij nuk qe i pakufizuar. Senati vepronte në njëfarë mënyre si një pushtet moral, si një kundërbalancë ndaj çdo abuzimi që vinte nga pushteti suprem. Ndarja dhe balancimi i pushteteve garantohej nga e drejta romake, e cila në fillim të shek.III i dha të gjithë shtetasve të drejtën e qytetarisë, dhe për pasojë barazinë juridike që i dha fund pak nga pak skllavërisë antike.

II. MONARKIA E CENTRALIZUAR

1. Monarkia feudale

Feudalizmi që lindi në Europën Perëndimore pas shembjes së Perandorisë Romake nuk nënkuptonte gjë tjetër veçse përqëndrimin e pushtetit në duart e lordëve të fuqishëm, ku në majë të hierarkisë qëndronte mbreti ose perandori. Pushteti i monarkut ishte absolut dhe i plotë vetëm në zotërimet e tij personale. Në kuadër të shtetit feudal, monarku ishte një feudal si gjithë të tjerët; jo gjithmonë i fortë për të imponuar vullnetin e tij. Një pengesë serioze ishte dhe Kisha Romake, pushteti i së cilës rivalizonte me të gjithë sundimtarët e kohës. Nuk kishte më skllevër si në Antikitet, por luftërat e vazhdueshme, përçarjet e brendshme dhe anarkia feudale thelluan pasigurinë duke i shndërruar bujqit e lirë në bujkrobër.

2. Autokracia bizantine

Nëse perëndimi u zhyt në kaosin feudal pas rënies së Romës, në Lindje, Perandoria Bizantine e vazhdoi ekzistencën e saj normalisht me uljet dhe ngritjet e veta edhe për njëmijë vjet të tjera. Struktura shtetërore romake, kultura helene dhe feja kristiano-orthodhokse ishin themelet e saj. Që nga koha kur Konstandini i Madh e shpalli veten “Apostull i 13-të” i Krishtit, pushteti perandorak vazhdoi të ishte i fortë, por vendin ekuilibrues të Senatit e kishte zënë Kisha Orthodhokse. Kjo kishte ndodhur në Bizant, por pa pretendime politike. Patriarku i Konstandinopojës, ndryshe nga Papa i Romës, nuk pretendonte të ishte superior mbi perandorin. Përkundrazi, ai ishte avokat i interesave të popullit në shumicën e rasteve për të ndalur abuzivizmin e perandorëve të paaftë. Në këtë mënyrë i qëndrohej besnik interesave të perandorisë, por mbi të gjitha të njerëzve të thjeshtë. Depërtimi i feudalizmit dhe i bujkrobërisë pas shek.XI ishte fillimi i fundit të këtij shteti madhështor.

3. Monarkia Absolute

Kur në Bizant sapo kishin nisur proceset e shpërbërjes feudale, në Europën Perëndimore ato arritën kulmin në shek.X-XI. Në Perëndim filloi procesi i centralizimit të pushtetit dhe i konsolidimit të monarkive të qendërsuara. Ky proces kulmoi në Europë me monarkinë absolute, shprehjen e plotë të së cilës e gjejmë te fraza e njohur e Luigjit XIV: “L’etat c’est moi” (“Shteti jam unë”). Monarkia absolute krijoi plotësisht shtetin e personit, të një monarku me pushtet të pakufizuar, që nuk i jepte askujt llogari përveç Zotit. Kjo ishte në thelb “e drejta hyjnore” që legjitimonte pushtetin absolut të monarkëve europianë. Njerëzit, siç thoshte dhe Rusoi kishin lindur të lirë, por ishin kudo të lidhur me zinxhirë. Ndryshe nga Hobsi,siguria dhe rendi ishin të pamjaftueshme për garantimin e virtytit të lirisë.

III. TIRANIA REVOLUCIONARE

1. Protektorati puritan

Absolutizmi mori goditjen e tij të parë aty ku tradita e një monarkie të kufizuar ishte më e fortë. Në Angli lufta civile e viteve 1642-1646 mes përkrahëse të mbretit dhe atyre të parlamentit çoi në fitoren e këtyre të fundit. Mbreti u arrestua, u gjykua dhe u dënua me vdekje. Oliver Kromuelli, deputeti dhe udhëheqësi i ushtrive parlamentare ishte tashmë zot i vendit. Pasi shpërndau “parlamentin e gjatë” me forcën e ushtrisë u shpall “Lord Protector”. Dektetet e Protektorit kishin fuqinë e ligjit dhe frymë thellësisht kristiano-puritane. Lufta e tij kundër traditave kishtare ishte po aq e ashpër sa edhe kundër katolikëve, sidomos atyre irlandezë. Kromuelli me siguri mendonte se qëllimi e justifikonte mjetin e përdorur, por në fund të ditës kush ishte qëllimi? Prosperiteti i kombit anglez?! Cili mbret, para dhe pas tij, nuk e ka dashur këtë? Mungesa e një projekti të mirëfilltë politik demokratik e shndërroi “republikën” e Kromuellit në një diktaturë personale ushtarake, që koha provoi se nuk kishte të ardhme në Britaninë e Madhe.

2. “Republika e Virtyteve”

Në Francë, modeli anglez i një monarkie të kufizuar dhe idetë iluministe e shkallmuan absolutizmin me Revolucionin e Madh të 1789-ës. Mbreti Luigji XVI Burbon, sikundër dhe Karli I Stjuart në Angli para tij, nuk e kishte konceptin e llogaridhënies para asnjë institucioni tokësor. Prandaj dhe përsëri një gjykatë njerëzore dënoi mbretin e saj me vdekje për ta çuar para drejtësisë hyjnore. I vetmi që ishte kundër këtij dënimi në atë kohë ishte Maksimilian Robespieri. Juristi i Artuasë, avokati i flaktë i lirive dhe të drejtave, kundërshtari më i ashpër i dënimit e vdekje, sot me tmerr kujtohet emri i tij duke u lidhur pazgjidhshmërisht me gijotinën, instrumentin gjakatar të asaj kohe. Vizioni politik i Robespierit ishte në fakt po aq i mjegullt sa ai i Kromuellit. Robespierre kërkonte një “Republikë Virtytesh”, një shtet të purifikuar nga korrupsioni. Që virtyti të triumfonte mbi vesin, sipas “Të Pakorruptueshmit”, terrori ishte i domosdoshëm për të qenë në rend të ditës. Ëndrra e Robespierit u bë mankth për francezët. Fanatizmi i tij i tmerrshëm për virtytin ishte burim i terrorit dhe terrori ishte parakusht i fundit të agonisë së tij jetësore.

3. Autokratizmi populist

“Unë jam Revolucioni Francez. Mjerrë ata që duan ta shkatërrojnë atë”. Këto ishin fjalët që Patric Ravignant kishte shkruar në “Ditarin sekret të Napoleon Bonapartit”. Nuk di të them nëse Napoleoni e besonte vërtetë këtë. E sigurt është se ai ishte produkti më gjenial i Revolucionit Francez. Përmes pushtimeve të kryera ai u bë eksportues i revolucionit në mbarë Europën. Napoleoni bashkonte në personin e tij gjenialitetin ushtarak të Kromuellit, virtuozitetin e pakorruptuar të Robespierit dhe aftësitë prej shtetari të perandorëve më të mirë të lashtësisë, pa eksesin e tyre kryesor: fanatizmin. Sipas zakonit mesjetar ai u vetkurorëzua perandor në prani të Papës, jo në Romë, por në Notre Dame de Paris. Populli e adhuronte për modernizimin e Francës, ruajtjen e arritjeve të Revolucionit dhe mbi të gjitha për fitoret e tij ushtarake. Kjo u shfaq edhe më qartë gjatë rikthimit të tij të lehtë në pushtet nga internimi i tij në Ish.e Elbës si dhe në zgjedhjen president dhe më pas perandor të nipit të tij, Napoleonit III. Por pavarësisht gjithçkaje, Napoleoni mbetej një tiran dhe pushteti i tij kishte natyrë diktatoriale. Prandaj dhe shpesh studiuesit kur i referohen autokracisë populiste napoleoniane e quajnë thjesht bonanapartizëm.

IV. DIKTATURA TOTALITARE

1. Totalitarizmi Autoritarist

Pse fashizmi përcaktohet si totalitarizëm autoritarist? Qartazi sepse sikundër edhe diktaturat e tjera totalitare përmbush pesë kritere bazë që janë: monizëm politik dhe ideologjik, kult të udhëheqësit, dëshirën për të krijuar një rend të ri, shkeljen dhe pezullimin e të drejtave të njeriut dhe ushtrimin e terrorit dhe frikësimit masiv. Benito Musolini, edhe për faj të dobësive të veta personale, ushtroi në Itali një pushtet shumë herë më të dobët se Hitleri apo Stalini. Nëqoftëse për tiparet e mësipërme përputhja ishte e plotë, për sistemin ekonomik dhe për raportin me fenë fashizmi diferencohet nga nazizmi dhe komunizmi. Në plan ekonomik fashizmi u përkthye në korporatizëm, ku prona private ekzistonte, por ku një grusht individësh kontrollojnë gjithë sektorët. Vet Duçja shprehej se parlamenti i vendeve të zhvilluara nuk ka për të qenë ai i të zgjedhurve të popullit, por i përfaqësuesve të degëve të ekonomisë. Një “meritë” mund t’i njihet fashizmit: ishte i vetmi sistem që arriti të shkatërrojë mafien e tij, por jo pa kosto: Në Italinë fashiste, antishteti ishte në krye të shtetit.

2. Subtotalitarizmi

Shumëkujt, duke përfshirë dhe mua përcakimi i nazizmit si gjysëm-totalitarizëm do të mund të konsiderohej i ekzaqeruar. Por në fakt dy janë arsyet që më bëjnë ta mendoj këtë: së pari, nazizmi, sikundër edhe fashizmi nuk zhduku pronën private, por e nënshtroi ekonominë e Reich-ut III ndaj planeve katër vjeçare. Nga ana tjetër, në plan fetar, nuk u bë marrëveshje siç veproi Musolini, por as edhe u bë përpjekje për çrrënjosjen e saj si në Bashkimin Sovjetik të kohës së Stalinit. Adolf Hitler u paraqit si “Mesia i Ri”, si “Krishti Shpëtimtar” i Gjermanisë. Në këtë kuadër, godinat kishtare u ruajtën, por svastika zëvendësoi kryqin, Mein Kampf-i Biblën dhe ikona e Fuchrer-it atë të Jezusit. Deri dhe teologët më të mirë gjermanë të kësaj periudhe u përpoqën të argumentonin origjinën ariane të Krishtit ! Sharlatinzëm ?! Jo, thjesht totalitarizëm. A u zhduk besimi në Zot?! Jo, por Zoti kishte “të dërguarin” e tij Antikrisht! Njerëzimi s’ka për t’i harruar kurrë bëmat e tij të mynxyrshme…

3. Totalitarizmi Absolut

Diktatura më e egër totalitare që ka ekzistuar ndonjëherë ishte pa dyshimi totalitarizmi komunist. Përfaqësues tipik i këtij sistemi tiranik ishte padyshim Stalini, Pushtet të tillë si të tij nuk ka ushtruar askush. I egër e mizor, i pabesë e i pangopur, ambicioz deri në ekstremet e ekstremeve , tirania staliniane nuk qe thjesht thjesht një sundim i përkohshëm në atë që quhej asokohe si Bashkimi Sovjetik, por një sistem që iu imponua gjysmës së planetit. Vetkuptohet që tiparet themelore të totalitarizmit këtu jo thjesht u zbatuan, në fakt u shpikën! Kontrolli i shtetit në të gjitha fushat arriti pafundësinë dhe pushteti i vozhdit u bë i pamatë. Ndryshe nga fashizmi dhe nazizmi, komunizmi zhduku plotësisht pronën private, e nënshtroi totalisht ekonominë ndaj planifikimit të centralizuar ekonomik pesë-vjeçar si dhe për lartësimin e mëtejshëm të kultit të udhëheqësit u luftua për çrrënjosjen e fesë. Mauzoleu i Leninit, ashtu si varret monumentalë të faraonëve egjiptianë, ishin pikënisje për imponimin e diktatit dhe të kultit stalinian. Stalini u shpall Zot. Vetëm Lufta II Botërore frenoi procesin e suprimimit të fesë në BRSS. Vetëm Enver Hoxha arriti atë që Stalinit rrethanat nuk ja lejuan, që të shpallte të vetmin shtet ateist në planet. Nëse Stalini nuk do të vdiste ashtu si vdiq,dmth i dehur , i fryrë nga të ngrënët, i shtrirë përtokë i shurrosur dhe mutosur, testament do t’i linte Enverit pushtetin me fjalët : “ Eja o biri im i vetëmlindur, trashëgomë pushtetin që askush tjetër hiletë më mirë se ti nuk i di , o dishepulli im shembullor!”.

V. RILINDJA DIKTATORIALE

1. Neocarizmi

Shembja e sistemit komunist dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik krijoi një krizë të gjithanshme në Rusi. Çështja e identitetit i shtyu rusët të riktheheshin në historinë e tyre si kurrë më parë. Në shek.XIX të gjithë popujt përjetuan rilindjet e tyre kombëtare. Por Rusia Cariste nuk e përjetoi këtë kthim tek e shkuara. Pushteti i Romanovëve ishte simbol i vazhdimësisë të së shkuarës mesjetare në të tashmen e saj moderne. Bolshevizmi me ideologjinë e tij komuniste i hapi rusëve perspektivën e një sistemi pa klasa me prirje nga e ardhmja. Kur utopia egalitare dështoi dhe BS kolapsoi, u duk se Rusia po uesternizohej dhe po modernizohej. Më 1998, një vit para se të jepte dorëheqjen, presidenti Boris Jelcin u kujdes personalisht për varrosjen monumentale të eshtrave të Romanovëve brenda pallatit të tyre perandorak. Në Perëndim u krijua përshtypja, se ky qe akti më i fundit i dënimit të krimeve të bolshevikëve. Në fakt ai qe akti primar i rizgjimit të Rusisë së Vjetër. Nën drejtimin e car Vladimir Putinit, rilindi Perandoria Ruse, si një fuqi e madhe, por asnjëherë duke hequr dorë nga traditat tashmë të konsoliduara autokratiko-autoritare të rusëve. Në planin ekonomik bojarët e vjetër rusë u zëvendësuan me oligarkët. Duma në planin politik, sikundër dhe para 1917, mbeti me funksione këshillimore, ndërsa pushteti real është i përqëndruar në Kremlin. Një element thelbësor është prirja për ekspasion. Edhe Rusia përpiqet ta përshtasë këtë me njëlloj integrimi euro-aziatik, si një mënyrë për të bashkuar rishtazi ish-republikat sovjetike. Kush do të mund ta imagjinonte se do vinte një ditë që në vendin ku nazizmi mori goditjen e vdekjes, fashizmi do ta kapërdinte…Askush!!!

2. Neo-otomanizmi

Si për ironi të fatit, por jo të determinzmit historiko-gjeografik, rasti i Turqisë është mjaft i ngjashëm me atë të Rusisë. Edhe kur “i sëmuri i Bosforit” ishte ende gjallë, turqit nuk përjetuan ndonjë rilindje kombëtare. Megjithatë ndryshe nga rusët, Revolucioni i Ataturkut ridimensionoi të ardhmen e Turqisë drejt një perspektive uesternizuese dhe modernizuese duke lënë pas të shkuarën osmane. Por ndërsa vitet kalonin, vepra e jashtëzakonshme e Ataturku filloi të konsiderohej si e vjetëruar dhe e pashpresë. Shembja e gjigandit sovjetik e çliroi Turqinë nga një fqinj të rrezikshëm. Avancimi i saj drejt Perëndimit filloi të stopojë. Ajo s’kishte më nevojë për mbrojtje. Turqia ka ushtrinë e dytë më të fuqishme brenda NATO-s. Bashkimi Europian ia refuzonte vazhdimisht kërkesat për antarësim, a thua se Greqia ishte pengesa! Në fakt Gjermania është komandatja! E kush nuk do të mërzitej përballë këtyre refuzimeve?! Ky kuadër rajonal ndërkombëtar në kombinim me bazën nacionaliste qemaliste dhe një islam të ringritur ushqyen tek Ankaraja ëndrrën otomane të udhëheqjes së Botës Islame. Sulltan Rexhep Taip Erdogan po gatitet të vetshpallet Mehmet II Fatih. Rikthimi i Shën Sofisë nga muze në xhami, nuk është ripushtim i Konstandinopojës, por varrosja përfundimtare e shtetit shekullar qemalist në emër të rilindjes osmane.

3. Pashallëku i rilindur

Rasti i Shqipërisë sonë të vogël nuk mund të krahasohet me titanët e lindjes. Megjithatë është një formë e veçantë tiranie. Ndryshe nga Rusia dhe Turqia, Shqipëria e ka përjetuar Rilindjen Kombëtare me të cilën u shkëput nga sundimi shekullor osman. Në ekzistencën e vet shtetërore Shqipëria ka qenë gjithmonë në dilemën mes Lindjes dhe Perëndimit. Nga Ismail Qemali te Ahmet Zogu Shqipëria prirej drejt Perëdimit, me Enver Hoxhën u kthye nga Lindja e Kuqe, pastaj u fut në rrugën e integrimit euroatlantik nën Sali Berishën. Por prirjet autoritariste tepër të konsoliduara sikundër në binomin ruso-turk, penguan fuqishëm integrimin tonë në Europë. Kështu Shqipëria iu fut rrugës së pashallëkut. Nën sundimin e Edvin pashë Ramës, Republika e Shqipërisë ia la vendin Pashallëkut Shqiptar. Pashai i Surrelit, ambicioz e intrigant si Enveri, mashtrues e i pabesë si Aliu, konsolidoi në Shqipëri shtetin e personit, një qeverisje pa ligje, ku fjala e pashait është i vetmi ligj. Kjo tirani është ku e ku më keq se sa carizmi apo sulltanizmi. Së paku titanët e lindjes kanë një traditë shtetformuese të konsoliduar. Tiranitë e tyre kanë disa rregulla të përkthyera në ligje të padrejta në shumë raste. Te ne ligj është verbi i pashait! Pashai nuk është i zgjedhur, është uzurpator i pushtetit të popullit që merr miratimin e Portës së Lartë. Për pasojë sulltanit që i shërben duhet edhe t’i presë kokën…Ky është ndoshta i vetmi shpëtim. Por a është vërtetë kështu?!
Jo! Jo! Jo! Çdo popull e ka për detyrë të rrëzojë tiranët e tij. Çdo popull duhet të zgjohet, tè ngrihet, të revoltohet. Asnjëherë s’është vonë për revolucion! Çdo popull duhet të kuptojë rëndësinë e të drejtave të tij sovrane e natyrore. Edhe sa kohë njerëzit do vazhdojnë të pëshpërisin “S’kemi ç’të bëjmë…ata janë të fortë! “ ? Edhe sa?! Deri kur?! Nuk e dimë! Një gjë është e sigurtë, historia do na’i thotë një ditë…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu