Rritja e cmimeve të artikujve të shportës, po zbraz xhepat e qytetarëve të Përmetit. Në tregun industrial dhe atë ushqimor, gjen blerës të paktë pasi cmimet dita-ditës pësojnë rritje marramëndëse.

Si tregtarët ambulantë ashtu dhe blerësit, ankohen për cmimet e larta të diktuara nga situata globale dhe mungesa e indeksimit të cmimeve nga qeveria. Tregtarët ambulantë ankohen për cmimet e diktuara nga grosistët të cilat reflektohen me mungesën e ofertës. Ndërsa ka dhe nga ata tregtarë si prsh një furrë buke që nuk ka rritur cmimin për shkak të mungesës së blerësve. Ndërkaq në tregun e qytetit, xhiroja e tregtarëve ka prekur fundin pasi askush nuk afrohet me cmimet që kanë shkuar në stratosferë.

Blerësit në shumicën e rasteve janë të paktë por edhe ata që afrohen tek tezgat e tregut, ngurrojnë të blejnë pasi cmimet e artikujve ushqimorë janë të larta e për pasojë blejnë në sasira të pakta.

Qyteti i Përmetit, vec braktisjes totale që po përjeton në këto vite, i duhet të përballojë edhe këtë situatë të pazakontë e cila reflekton në shtimin e varfërisë dhe të papunësisë. Në Përmet trajtohen një numër i paktë i familjeve pa të ardhura pasi janë të pakta ato familje që nuk kanë televizor, frigorifer apo lavatrice. Pasi vetëm në mungesë të tyre quhesh i varfër.