Duket se në Universitetin e Gjirokastrës, punët janë të normalizuara.

Nuk do të ketë as bojkot mësimor nga ana e pedagogëve për rritje page dhe as aplikim të detyrueshëm të leksioneve. Zv rektori i Universitetit “Eqrem Cabej”, Jaho Canaj në një intervistë për Jugulajm.net zbardh të gjitha dilemat që janë vënë në diskutim kohët e fundit nëpër universitetet publike në vend.

Sipas tij, procesi akademik do të fillojë si zakonisht mëngjesin e 17 tetorit dhe do të vijojë normalisht pa ndonjë paralajmërim për grevë të mundshme nga ana e pedagogëve. Kjo të paktën sipas Canajt është konfirmuar nga kontaktet me ta. Ndërsa përsa i përket numrit të studentëve, ai është pothuajse në të njëjtat nivele me të vitit që shkoi. Deri më tani në sistemin Bachelor janë regjistruar 320 studentë ndërkohë që ky numër pritet të rritet ditët vijuese pasi është faza përmbyllëse dhe se interesi është egzistues për të studiuar në këtë universitet.

Zv rektori konfirmon gjithashtu se studentët kanë interes më shumë degën e Infermierisë, Mamisë dhe ekonomisë. Ndërkaq këtë vit po shihet një interes diku më i rritur për lëndët e mësuesisë të cilat deri më sot nuk kanë qenë në fokusin e interesit. Sipas Canajt, ndonëse interesi është i paktë për të studiuar në universitet, deri më tani nuk rrezikon mbyllja e degëve pasi ato që rrezikoheshin, sipas rregullit kanë plotësuar kuotën prej 10 studentësh. Canaj ka bërë thirrje që të ketë politika të qarta për liberalizimin e ndjekjes së studimeve universitare pa marrë parasysh mesataren e maturës pasi kjo do të ndikojë në rritjen e numrin të studentëve.