Katër pjestarë të familjes Dosti në fshatin Mokricë të Përmetit, prej dy muajsh erren dhe gdhihen me bagëtitë. Javë më parë banesa është shembur dhe askush deri më sot nuk është përgjigjur nga ana e autoriteteve vendore.

Fati ka qenë me ta pasi momenti i shembjes ka goditur që vetëm një pjestar i familjes të gjendej brenda dhe që fatmirësisht shpëtoi nga vdekja. Kasollja e bagëtive ka qenë shpëtimi i tyre këto javë që kanë ngelur pa shtëpi. Kryefamiljari Bektash Dosti, ka dëbuar bagëtitë dhe lopën nga hauri duke e shndërruar atë në një banesë të përkohshme. Sic po shihet edhe nga pamjet, këto janë kushtet që qëndrojnë sot e kësaj dite të katër pjestarët e familjes Dosti ku dhe qeni fle më mirë se ta.

E vetmja kërkesë e tyre është sigurimi i një cadre ku të fusin kokën për t’i liruar vendin bagëtisë dhe lopës së vetme që kanë. Cadra për ta është luks ndërkohë që autoritetet vendore edhe pse janë informuar me kohë për këtë ngjarje, janë mjaftuar me premtime dhe asgjë më shumë.

Nga ana e tij shefi i Emergjencave Civile në Bashkinë e Përmetit, ia delegon këtë përgjegjësi Emergjencave Civile në Tiranë ku duhet të vlerësojë situatën dhe të dërgojë një cadër.

Fshati Mokricë ndodhet gati 15 km nga Përmeti por terreni është shumë i vështirë për shkak të rrugës së dëmtuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu