Katundishti fshati malor në Bashkinë e Këlcyrës, në dy ditët e fundit ka qenë i prekur nga erozioni sidomos në pjesën e sipërme të tij.

Fshati pozicionohet në veriperëndim të Bashkisë Këlcyrë dhe popullohet nga 250 banorë. Lagja e sipërme KALEMAJ, ka qenë në shënjestër të kohës së keqe në 48 orët e fundit pasi shirat me intensitet të lartë, kanë shkaktuar erozion në gati 50% të territorit të saj. Për rjedhojë katër banesa e kanë pësuar pasi janë dëmtuar rëndë dhe janë bërë të pajetueshme për bujtësit.

Këta të fundit kanë ngelur në qiell të hapur pa asnjë lloj asistence konkrete nga ana e Bashkisë së Këlcyrës, apo qeverisë shqiptare. Janë 25 frymë që kanë ngelur në qiell të hapur prej 48 orësh dhe presin me padurim zgjidhjen e këtij problemi nga organet kompetente.

Nga Bashkia e Këlcyrës kanë ardhur pëqrfaqësues të cilët kanë inspektuar situatën në terren e më pas, raportuar Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile. E derisa të ndërmerren këto procedura, këta banorë fatkeq, do t’u duhet të qëndrojnë në qiell të hapur pasi komshiu që i hapi derën, nuk do t’i mbajë më tepër se 10 ditë e më pas, sic thonë vetë fatkeeqët, do të jetojnë afër përroit pa cadër e pa kushte si dikur në mesjetë.