Ka zgjatur vetëm 24 orë dryni i tregtarëve me pakicë të karburantëve në Gjirokastër.

Ata kanë pritur rritjen e cmimit me 20 lekë të naftës dhe benzinës mëngjesin e sotëm në të gjithë vendin, që të rihapin aktivitetin e tyre. Nëse një ditë më parë një litër naftë blihej me 203 lek sot është rritur edhe me 20 lekë më tepër. Jashtë kamerave pronarët e shitjes me pakicë të karburanteve, konfirmojnë për Jugulajm.net se stoku i blerë disa ditë më parë, ishte me vlerë më të lartë sesa shitej në treg dhe kësisoj pritën që cmimi i naftës të pësonte rritje që ata të ricelnin aktivitetin e tyre tregtar.

Prej ditësh rritja e cmimit të naftës, është reflektuar edhe tek cmimet e konsumit të gjerë sidomos tek artikujt e shportës. Këto të fundit kanë pësuar rritje të pandalshme dhe përditë po njohin rritje. Të gjendur përballë këtyre abuzimeve nga ana e grosostëve që tregtojnë asortimentet bazike ushqimore, janë sidomos shtresat në nevojë dhe pensionistët.

Shumica e këtyre të fundit e kanë të pamundur të jetojnë me pensionet minimale prej 16 mijë lekësh pasi sic thonë vetë ata në intervistat e tyre, do të detyrohen të hanë 1 herë në tre ditë.