Diskutim për krijmatrinë letrare të autorit dhe publicistit Miho Gjini ishte aktiviteti zhvilluar sot në Teatrin “Zihni Sako” në kuadër të Festivalit Teatror “Kadri Roshi” në Gjirokastër. Studiuesi i artit, shkrimtari dhe publicisti zgjodhi të promovonte edhe rreth 30 libra, ndërsa interesimi i qytetarve gjirokastritë ishte zhgënjyes.

Miho Gjini  tha se indiferenca ishte zhgënjyese, ndërsa shtoi se indiferenca karshi librave është kthyr në një fenomen shqetësues dhe kjo sipas tij, është e dhimbshme. Më tej Gjini nuk ngurroi të fliste edhe për problemet që shikon sot me jetën artistike apo dhe ndihmën që mungon ndaj personaliteteve të artit në vend.

Miho Gjini kthehet në Teatrin e Gjirokastrës pas 50 vitesh aty ku ai shërbeu si amator i Teatrit. I njohur në rrethet artistike si kritiku më i mirë i teatrit në Shqipëri, në vitet ’60-‘70, Miho Gjini përjetoi kalvarin e diktaturës duke njohur internimin e më pas, burgimin si pasojë e goditjes që shteti komunist i dha letërsisë dhe artit në fillim të viteve 1970. Menjëherë pas përmbysjes së komunizmit emigroi në Greqi duke mos i’u ndarë për asnjë moment pasionit të tij të hershëm e duke ndjekur me vëmendje çdo shfaqje teatri në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.

Larguar prej vitesh nga Shqipëria, me vete shkrimtari dhe publicisti Miho Gjini ka marrë dashurinë për teatrin dhe artistët. Ai u be i njohur që në vitin 1969 me dramën “Njollat e murrme”. Ishte kjo dramë që i damkosi biografinë dhe jetën që e priste më pas. E megjithatë dashurinë për teatrin nuk rresht. Këtë e ka treguar përmes monografive që ka shkruar për artistët si Mihal Popi, Naim Frashëri, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Nikolin Xhoja etj. Autor i 30 librave letrarë, publicistikë, por sidomos monografi, mbi teatrin, kinematografinë dhe gjigandët e skenës dhe ekranit shqiptar, Miho Gjini është nderuar vite më parë nga presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu