Një pllakatë që përkujton viktimat e burgut të “7 Penxhereve” në kalanë e Gjirokastrës është vendosur sot përmes një ceremonie të organizuar nga Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman “Konrad Adenauer”. Familjarë të viktimave të komunizmit, ish të burgosur politikë kanë marrë pjesë sot në këtë ceremoni që certifikon në këtë mënyrë, egzistencën e një varri masiv pas kështjellës së Gjirokastrës fare pranë burgut famëkeq të titulluar në atë kohë si Burgu i“Shtatë Penxhereve”.

Në këtë aktivitet ka nderuar me pjesmarrjen e tij kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi, ish deputetët e PD Luan Baci dhe Enkelejd Alibeaj, si dhe kreu i PD Gjirokastër Dasho Aliko.

Varri masiv mendohet të jetë nga më të mëdhenjtë në vend pasi janë groposur dhjetëra në mos qindra ish të burgosur politik, të cilët kanë vuajtur dënimet në ish burgun famëkeq të Gjirokastrës në vitet 1944-1967.

Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Nebil Çika, është shprehur se më në fund u konkretizua vendosja e kësaj pllakate që simbolizon gjurmët e hershme të persekutimit dhe egzekutimeve pa gjyq të kundërshtarëve politikë të rregjimit të cilët kanë vuajtur në burgun e “Shtatë Penxhereve. Zoti Cika ka bërë apel për vullnet politik me qëllim fillimin sa më parë të punës për gjetjen e eshtrave të ish të përndjekurve politik, të egzekutuar në burgun famëkeq të Gjirokastrës dhe groposur në një varr të vetëm masiv. Sipas tij, kjo varrezë, u zbulua falë përpjekjeve individuale dhe me ndihmën e banorëve gjirokastritë kryesisht atyre të mocëm, që kanë parë në distancë se cfarë bëhej me të burgosurit politik të periudhës së diktaturës.

Ndërkaq drejtori për Shqipërinë i Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer” Tobias Ruttershoff u shpreh se aktivitete të tilla kanë për qëllim të sensibilizojnë më tepër opinionin dhe njëkohësisht fondacioni që ai drejton, do të qëndrojë pranë këtyre eventeve dhe do t’i suportojë përherë.

Të pranishmit kanë marrë pjesë në një Akademi Përkujtimore me këtë rast në vendin ku ka egzistuar burgu i “Shtatë Penxhereve” dhe më pas inspektuan vendin ku egzekutoheshin pa gjyq ish të persekutuarit e rregjimit komunist që vuanin dënimin në këtë burg.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu