Kanë mbërritur pranë gjykatës së Përmetit personat e arrestuar dy ditë më parë në operacionin “Mezhgorani”. Me disa automjete të policisë njëri pas tjetrit, kanë mbërritur të arrestuarit për t’u paraqitur në Gjykatë për masën e sigurimit personal që do të merret ndaj tyre. Shoqëruar nga efektivët, në makinën e policisë, mbërriti edhë Henri Çili, pronari i UET-së.

Rreth Gjykatës ka familjarë dhe të njohur të personave të arrestuar. Ndërkohë, seanca do të jetë me dyer të mbyllura, ku do të jepet masa e sigurisë për 30 të arrestuarit në total nga ky operacion.

Operacioni i nisur në shtator të vitit të kaluar për “Falsifikim të kartëmonedhave” çoi në pranga shumë persona për disa akuza, por mbi të gjitha zbuloi tentativën e Henri Çilit për të ndikuar te Gjykata e Lartë për përshpejtimin e gjykimit për dy dosje të dy të dënuarve përjetësisht që të gjykoheshin në 50 dosjet e para, në stokun e 35 mijë çështjeve që presin dhe lirimin e tyre.

Është ndërruar në momentet e fundit gjyqtari për seancën ndaj 31 tëarrestuarve në operacionin “Mezhgorani”, mes të cilëve edhe Henri Çili.

Seancën do ta drejtojë Dritan Hasani, ndërsa gjyqtarja Yrvete Shkreli është përjashtuar dje. Ishte një kërkesë e prokurorit Asllan Bajrami, që është pranuar nga kryetarja e gjykatës. Ai kërkoi përjashtimin e gjyqtares Yrvete Shkreli, pasi dyshohet se kanë pasur përplasje mes tyre për caktimin e masës së sigurisë mes ditës së dielë apo të hënë. Gjyqtarja kërkonte që seanca të mbahej të hënën, dhe jo sot.

Raportohet nga Përmeti ku mbahet seanca, se kjo përplasje nuk është mbyllur me kaq. Si prokurori Bajrami, ashtu edhe gjyqtarja Shkreli, kanë kallëzuar njëri-tjetrin, por nuk duhet ende mbi ç’akuza.

Bashkëpunëtorë, kolegë dhe mbështetësit e botuesit dhe pronarit të UET, Henri Çili kanë qenë të pranishëm para Gjykatës së Faktit në Përmet në mbështetje të tij për ‘t’i dhënë zemër’. Të pranishëm ishin Preç Zogaj, Roland Lami, Arjon Sulo dhe ish-kryekomunari i Shëngjinit Salvador Kaçaj, të gjithë të njohur për bashkëpunimin me Çilin si në botimin e librave, në gazetë apo shkrimet akademike në UET.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu