Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim është ndalur në Gjirokastër për një vizitë në pikën kufitare të Kakavijës. Ajo është pritur nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, e ndërsa të pranishëm ishin edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, mes tyre drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu si edhe ambasadorja e e Greqisë Sophia Philippidou.

Gjatë fjalës së saj, diplomatja amerikane tha se mbrojtja e kufijve është e rëndësishme për sigurinë globale. Kim theksoi gjithashtu se SHBA mbetet e palëkundër në angazhimin për zbatimin e ligjit në Shqipëri. Yuri Kim tha se, grupet kriminale veprojnë në mënyrë të zgjuar, e ndaj ne duhet të tregohemi edhe më të zgjuar e të pamëshirshëm kundrejt tyre, për të luftuar trafikimin e paligjshëm, qarkullimin e drogës, e kontrabandën e njerëzve.

Ndërkohë ambasadorja e Greqisë në vendin tonë Sophia Philippidou tha se pika kufitare e Kakavijës është një pikë e rëndësishme e bashkëpunimit mes dy vendeve për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës. Sipas Philippidou siguria ndërmjet dy shteteve do të forcohet edhe më shumë kur të mund të ngrihet qendra për bashkëpunimin e Policisë dhe Doganave në pikën e kalimit kufitar.

Në këtë vizitë u vërejtën disa prej pajisjeve të dhuruara nga Qeveria e SHBA-së për Policinë e Shtetit në kuadër të Programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë së Kufirit. SHBA ka dhuruar disa pajisje të avancuara, cilat do të ndihmojnë në zbulimin e prezencës së lëndëve narkotike. Po ashtu janë vendosur edhe instrumente të tjera që janë shumë të domosdoshme për të zbuluar paligjshmëri të ndryshme në pikën kufitare të Kakavijës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu