Me kalë e me gomar nuk shkojnë në ekskursion apo në ndonjë aktivitet në natyre me klasën. Këta fëmijë, nevoja i ka kushtëzuar që për të shkuar në shkollë si bashkëmoshatarët e tyre, të mësojnë edhe të drejtojnë kafshët e punës.

Është e vetmja mënyrë që ata t’ia dalin të shkojnë në shkollën e Lekasit në Bashkinë e Korçës. Ajo dikur kishte mbi 250 nxënës. Sot, derën e saj e mbajnë të hapur vetëm 6 fëmijë që vijnë edhe nga fshatrat përreth. Pavarësisht harresës dhe vështirësive, familjet dhe vetë këta nxënës nuk humbasin asnjë ditë shkolle, duke sakrifikuar edhe në dimrin e ftohtë të juglindjes.

“Jam në klasën e katërt dhe vij çdo ditë në shkollë me gomar. Në dimër është pak më e vështirë, por jam mësuar”, tregon një nxënëse.

“Unë jam në klasën e shtatë. Kam 7 vite që vij me kalë. Në fillim, në klasë të parë dhe të dytë vinte edhe babi, por tani jam mësuar”, tregon një tjetër nxënëse.

Altin Kamberi detyrohet të lërë punët për të shoqëruar me kafshë pune fëmijën që e ka në klasë të parë. “Vajzën e kam në klasë të katërt, ndërsa djalin në klasë të parë. Kam katër vite, nuk mund të shkoj në punë, pasi nuk mund t’i lë fëmijët”.

Sot është e vështirë ta besosh se në Lekas dikur ka pasur shkollë tetëvjeçare dhe të mesme dite dhe nate, farmaci dhe spital.

“Në kooperativë kanë qenë 8 mijë banorë. Sot kanë mbetur vetëm 200 banorë”, tregon një banor.

Përpjekjet për ta mbajtur të paktën shkollën hapur janë të forta, por nuk është vetëm ajo për të cilën banorët e fshatit kërkojnë vëmendje. Me dimrin e ashpër në prag i pret bllokimi rrugëve; vështirësi do të kenë edhe për furnizimin me energji elektrike, por ëndrrat dhe shpresat vdesin të fundit tek ata pak fëmijë të mbetur në fshat.