“Këtu, në fshatin Gosnisht të Përmetit po e denoncoj qytetarin Habib Jashari, pasi ka bërë një masakër urbane, mjedisore, pyjore. Ka bërë një rezervuar pa asnjë lloj dokumentacioni tekniko-ligjor, pa leje ndërtimi, ka bërë dhe një objekt të paligjshëm. Ka rrethuar edhe të gjithë fshatin Gosnisht me tel gabion”, u shpreh z. Albert Brahollari.

“Dhe, institucionet shtetërore si bashkia Përmet, Policia e rendit, Inspektoriati Ndërtimor dhe Zonat e Mbrojtura ku ndodhet fshati Gosnisht i kanë lënë dorë të lirë shtetasit Jashari, që ka bërë këtë masakër” deklaroi ai duke treguar me gisht, një rezervuariqë është hapur në mes të pyllit.

Z. Brahollari, a ka marrë leje firma për këto punime?

Nuk ka asnjë lloj dokumentacioni. Unë kam depozituar një kallëzim penal pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Përmet. Hetimet, si sistemi gjyqësor i ka mbaruar, e kanë dorëzuar dokumentacionin prokurorisë. Prokurori, në mënyrë të çuditshme, të habitshme po e vonon në mënyrë të pashpjeguar.

Por si mendoni, përse po e vonon?

Si duket nuk donin ta arrestonin që fillimisht.

A është bërë masakër pyjore këtu dhe në çfarë mase?

Këtu ka qenë pyll (tregon rezervuarin). Këtë hap e ka ndërmarrë në 2017-ën dhe sipas akt-ekspertimit që është bërë nga ekspertja e ndërtimit, edhe nga Inspektoriati i Mjedisit, pasi depozitova kallëzimin u vunë në lëvizje, se bashkia, kur lidh kontratë qeraje, ka detyrim ligjor ta verifikojë nëse e ka zbatuar. Veç kësaj ka zënë sipërfaqe më shumë se çka në kontratë. E shkruar e zeza më të bardhë. Këtu kanë ardhur të gjitha institucionet shtetërore, që nga baseni i Vlorës që kemi ndërtim pa leje; e kemi nga Inspektoriati i nderimit në Gjirokastër, ndërtim të paligjshëm dhe për këtë është bërë një dëm ekonomik 8 milionë e gjysmë lekë të vjetra, por dëmi ekonomik në bindjen time është shumë herë më i madh se aq.

Çfarë kërkoni sot ju nga organet kompetente?

Kërkoj nga organet kompetente që prokurori të mos e vonojë çështjen dhe ta shpjerë dosjen në gjykatë. Ku e ka arsyen?!

Sa dëm në pyje mendoni se është bërë?

Këtu ka bërë mbi 1,7 ha dëm, 17 dynymë, gjithmonë sipas të shkruarave nga Inspektoriati i Mjedisit, pasi zona e Gosnishtit hyn në zonat e mbrojtura dhe nuk duhet të hapësh asnjë gropë, jo të bësh këtë masakër! Ai ka dhe fadromë këtu.

Kur kemi ardhur këtu në parë me ekspertët, ka pasur fadromë dhe kur e ka pyetur hetuesi e kujt është kjo fadromë, është përgjigjur “e bashkisë!” Unë i kam thënë “mos gënje, fadroma është jotja. Me atë fadromë ti ke bërë këtë masakër këtu, mjedisore, urbane”, shikojeni dhe vetë!