Gjirokastra ka një traditë të hershme të gdhendjes së gurit.
Në zona të ndryshme të saj, guri ka gjetur përdorim në ndërtimin e shtëpive, mureve, dekorimeve të ndryshme, por edhe në shtrimin e rrugëve.
Zona e jugut, kryesisht Gjirokastra e ka edhe më të theksuar. Por me kalimin e viteve mjeshtrit e gurit, ashtu siç është cikli i jetës, u larguan nga kjo botë, duke lënë pas veprat e tyre por shumë pak trashëgimtarë të zanatit.
Nga 30 gurgdhendës që kanë qenë dikur, sot në Gjirokastër numerohen 7 të tillë, të moshuar, pasi të rinjtë nuk shfaqin interes më për një profesion të tillë pavarësisht këmbënguljes dhe dëshirës që të vjetrit kanë për ta trashëguar tek ata kete zanat.
Me zbehjen e këtij zanati humbet edhe tradita e qytetit të gurtë. Bexhet Bistri është 78 vjeç po pavarësisht moshës, ai udhëton çdo ditë nga fshati Mashkullorë drejt qytetit të Gjirokastrës.
Bexhetin e gjejmë teksa gdhend gure ne nje veper publike në Gjirokastër. Me çekicin dhe daltën që nuk i ndahet ai tregon për Jugulajm.net një copëz të fillimeve të tij si gurgdhendes, punën që e nisi nga nevoja ekonomike për t’u kthyer në një zanatçi profesionist.
Bexheti thotë se është tepër e rëndësishme që tradita të ruhet dhe trashëgohet ndonëse të rinjtë nuk e preferojnë.
Të gdhendësh gurin është art, Bexhet Bistri është gurgdhendësi që sfidon moshën dhe vitet duke mbajtur gjallë traditën.