Mendon të shesë bagëtitë.

“Po vazhdoi kështu do ti lëmë dhe do presim nga fëmijët që I kemi jashtë shtetit. Po ikin nga dita në ditë. Pse po ikin? Sepse këtu shteti nuk funksionon fare!”

Një tjetër fermer që takuam tek një baxho që shet qumështin tregon se ka marrë subvencion, por ai është i pamjaftueshëm. Këtë vit i kanë rritur dhe qiranë e tokave ku kullot të imtat. Thotë se është gati të emigrojë.

“Shteti na ka dhënë 12 mijë lekë për dele. Kullotën e malit e kanë ngritur nga 1500 e kanë bërë 2500. Është e vështirë. 1 shishe ujë është 1000 lekë, një litër qumësht 700 lekë. Po vazhdoi kështu e unë që jam në moshë të madhe do iki në kurbet.”

Adriatik Danaj ka një baxho dhe mbledh qumështin e një pjesë të banorëve të fshatit Asim Zenel në Gjirokastër. Tregon se qumështin po e ble pak më shtrenjtë se një vit më parë. Por po përballet me rënie të prodhimit, ndërsa shpenzimet sa vijnë dhe i rriten.

“Ka probleme të ndryshme si nafta, gazi, nuk e përballojmë dot. Kërkesat e çobanëve janë të drejta që kërkojnë ngritjen e çmimit. Prodhimi është gjithnjë në ulje, detyrohem të balancoj blerjen me shitjen. E të dua të rris çmimin se pjesa tjetër se bëj dot se nuk do më shiten.”

Ka aplikuar disa herë për subvencion, por nuk ka fituar.

“Jemi pezmatuar nuk merrem më me atë punë.”

Emigrimi, fitimet e pakta dhe rritja e kostove vitet e fundit ka ulur numrin e të imtave në vend. Sipas INSTAT në vitin 2020 ka pasur një rëni me 10% të numrit të të deleve dhe dhive në krahasim me 2019. Po këtë vit me rritjen gati dyfish të ushqimeve të bagëtive dhe çmimeve të tjera me shumë të ngjarë do kemi edhe më pak të imta.