Maria Xhiga nga fshati Bajkaj i Delvinës ka mësuar që fëmijë të bëjë aksesorë të ndryshëm me rruaza. Kur ishte 6 vjeç mbeti jetime. Gjyshja që e rriti e nxiti të mësonte punime të ndryshme.

“ Më ka lënë mamaja 6 vjeç. Mamaja ka vdekur 32 vjeç. La 5 fëmijë. Na thoshte gjyshja mësoni se do ngeleni pa burra dhe ne nga frika mësuam. I thonim gjyshes, eja na e mëso”.

Prej 5 vitesh Maria jeton e vetme, pasi bashkëshorti I ndërroi jetë. 3 fëmijë I kanë emigruar. Tregon se pensioni nuk I del ndaj është detyruar të bëjë punime me rruaza jo vetëm për pasion, por dhe për t’i shitur.

“Merrem me këto (rruazat) sikur flas me njerëz dhe I numëroj. Kur s’më del pensioni I shes 5 mijë lekë. Nuk janë për 5 mijë janë për 10 e më shumë se vete një punëtore në fushe dhe merr 15 mijë në ditë. unë bëj për 6 ditë një dhe s’më bie as 100 lekë në ditë”.

Maria është ende e fortë, kujdeset dhe për një bahçe të vogël që e ka mbjellë me perime sa për ti konsumuar vetë.

Kjo nënë dhe gjyshe e dashur prej malli dhe dashurisë që ka për fëmijët çdo fundjavë përsërit të njëjtin ritual. Djeg temian dhe lutet që ata të jenë sa më mirë.

“Shtunë në darkë duke gdhirë e diela e mbush me vaj dhe vendos këto brenda. Bëj kryqin se jam e krishterë dhe lutem për fëmijët: “Ti kesh në sy ti o Zot!”

Dikur në fshat Bajkaj jetonin 600 banorë. Tani kanë mbetur rreth 100 dhe një pjesë janë të ardhur nga zonat veriore të vendit.