Punimet për Ujësjellësin e Dropullit të Sipërm kanë nisur me mjaft problematika.

Ky projekt investim i qeverisë shqiptare që kap vlerën e 4 miliardë lekëve, do të mbulojë me ujë të pijshëm gjashtë fshatra Selo, Likomil, Llongo, Llovinë, Sotirë dhe Krioner. Jugulajm.net është ndalur në një prej fshatrave të përfshira në këtë projekt konkretisht në fshatin Likomil të Bashkisë Dropull. Një fshat me 35 shtëpi gati 40 km në jug të Gjirokastrës fare pranë kufirit me Greqinë.

Cilësia e punimeve të kryera deri tani sipas banorëve të këtij fshati lë shumë për të dëshiruar. Banorët kanë rezervat e tyre për këtë ndërhyrje dhe sidomos ndaj firmës zbatuese të projektit, si dhe Bashkisë Dropull si investitor i kësaj vepre duke cituar se ka patur devijime në projektin ekzistues gjatë punimeve në lëvizjen e tubave në rrëzë të lumit të Selosë dhe jo në anë të lumit sic ishte vendosur paraprakisht.

Ndërkohë banorët kanë pohuar gjithashtu se duhet të ketë përmirësime kryesisht në mbulimin e tubave të ujit gjatë ecurisë së punimeve. Sipas banorëve punimet janë ndalur si pasojë e rreshjeve të fundit me intensitet të lartë dhe për faktin se pozicioni i terrenit  ku po vazhdojnë punimet është i vështirë.

Fshatrat e Njësisë Administrative Dropull i Sipërm të përfshira në këtë projekt të qeverisë shqiptare, furnizohen me ujë të pijshëm deri në 2 orë në ditë i cili nuk u mjafton as për vaditje dhe as për të pirë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu