Një ngjarje tragjike u regjistrua mbrëmjen e djeshme në Dropull të Gjirokastrës, ku një çift të moshuarish humbën jetën pasi banesa e tyre u përfshi nga flakët.

Viktima mbetën Irakli dhe Fotini Panajoti, përkatësisht 84 dhe 73 vjeç, ndërsa shefi i zjarrfikësve Dropull, Alqi Kosta ka thënë për Jugulajm.net, se shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë bombola e gazit. Sipas tij, nga ekspertiza paraprake, dyshohet të ketë patur rrjedhje gazi.

Ai shprehet se trupat e dy të moshuarve u gjetën në derën e jashtme të shtëpisë, në përpjekje për të dalë jashtë.

“Në orën 9:30 morëm njoftimin për djegien e banesës. Pesë zjarrfikës, të cilëve iu bashkova dhe unë, u nisëm për në vendngjarje, por terreni i keq vonoi mbërritjen për të shuar flakët. Kur shkuam pamë ndërtesën dykatëshe që po digjej dhe kishim informacione që brenda ishin dy të moshuar. Banesa ishte me çati dërrase dhe dysheme dërrase. Nga ekspertiza e parë u evidentua që gatuanin me bombol gazi dhe shkaku kryesor i zjarrit dyshohet se ka qenë bombola e gazit. Bombola e gazit u gjet jashtë shtëpisë, dyshohet se ka patur rrjedhje gazi. Të dy trupat u gjetën në derën e jashtme të shtëpisë, pra janë munduar të dalin jashtë. Trupat ishin karbonizuar”, thotë ai.

Dy të moshuarit jetonin vetëm, ndërsa fatkeqësisht nuk mundën t’i shpëtonin flakëve që i përpinë shtëpinë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu