Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka publikuar një plan me 5 pika për dalje nga situata. Kreu i opozitës thotë se vetëm rritja e numrit të testimeve mundëson identifikimin real të të prekurve dhe frenimin e përhapjes së virusit. Basha thotë se izolimi i qytetarëve dhe bllokimi i ekonomisë na kushton qindra herë më shumë se rritja e numrit të testimeve.

5 PIKAT E PLANIT TE BASHES PER DALJEN NGA EMERGJENCA

1. Sa më shumë testime
Sa më shumë persona të testuar, aq më shpejt identifikohen të prekurit dhe ndalohet përhapja e COVID-19. Bllokimi i ekonomisë dhe popullsia në karantinë kanë kosto shumë më të lartë sesa testimi i qytetarëve.

2. Gjurmimi i burimit dhe i kontakteve
Duhet bërë gjurmim i plotë i burimit dhe i kontakteve të të prekurit. Testimi i mjekëve, policëve e personave në vijën e parë. Kjo kërkon burime njerëzore, trajnimin dhe përdorimin e kapaciteteve lokale shëndetësore.

3. Mbështetje për shëndetësinë
Të sigurojmë mjetet dhe pajisjet për personelin shëndetësor. Të garantojmë që kapacitetet tona shëndetësore të përballojnë fluksin e personave që kanë nevojë për trajtim.

4. Matjet dhe menaxhimi i situatës
Duhet një sistem i saktë i matjes së impaktit që kanë masat e marra. Nëse ne e dimë çfarë impakti kanë ato – ulin, mbajnë konstant apo rrisin numrin e të infektuarve -atëherë do të kemi mundësi të reagojmë menjëherë në menaxhimin e situatës, duke i shtrënguar apo lehtësuar më shumë masat e marra.

5. Tranzicioni drejt hapjes së ekonomisë
Rifillimi kërkon përshtatjen me realitetin e ri. Qytetarët dhe bizneset do duhet të mësohen të funksionojnë në kushtet e distancës 1,5 m. Sa më shpejt të adoptohet kjo mënyrë e re aq më shpejt mund të rifillojë ekonomia dhe të reduktohet karantina. Qeveria duhet të mbështesë me fonde dhe lehtësira mënyrën e re të funksionimit të ekonomisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu