Banorët e Këlcyrës reagojnë për instalimin e rrjetit të ri të ujësjellësit me tubo të vjetra. Ata janë grumbulluar në qendër të qytetit dhe kanë protestuar për atë që ata thonë mashtrimin që po i’u bëhet popullit nga firma që ndërton ujësjellësin e ri.

Vetë ata denoncojnë këtë fakt pasi rrjeti që do të përcjellë ujin e pijshëm është tërësisht jashtë përdorimit pasi po përdoren tuba të celiktë dhe që sipas tyre nuk janë të përshtatshëm për ujë. Disa prej tyre shprehen se janë tuba të naftës dhe që janë sjellë nga Ballshi për t’u vendosur në Këlcyrë për ujësjellësin e ri.

Jugulajm.net ka shkuar në vendin ku janë përqëndruar tubot e ujit të cilat pretendohen nga banorët se janë të papërshtatshme për përcjelljen e ujit. Nga cfarë shihet nga pamjet, tubot janë prej metali dhe shumica e tyre janë të bojatisura me ngjyrë të bardhë nga brenda.

Lidhur me këtë pretendim që kanë banorët, Jugulajm.net ka komunikuar me përfaqësues të firmes ndërtuese që ka fituar tenderin për ujësjellësin e ri nga ku dhe ka marrë sqarimet përkatëse. Përfaqësues të firmës hedhin poshtë pretendimet e banorëve për tubot që do të përdoren për ujin e pijshëm. Ata thonë se këto tubo janë më të mirat në treg dhe janë importuar nga Kosova ku janë prodhuar nga fabrika më e madhe në Europë për prodhimin e tubove të tilla që përballojnë nivelin e presionit për atmosferë.

Lyerja e tyre me bojë të bardhë, është kundër ndryshkut. Firma ndërtuese garanton banorët e Këlcyrës se tubot janë më të mirat dhe se shërbimi i ofruar i konsumatorëve me ujë të pijshëm që do të përcillet nga këto tubo, është i garantuar dhe i pastër bakteriologjikisht.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu