Banorët e fshatit Kakome në Sarandë kanë protestuar sot para Gjykatës Administrative në Gjirokastër kundër gjykatëses të këtij institucioni Ema Shaholli pasi kjo e fundit një ditë më parë ka shpallur për mos kompetencë ligjore trajtimin e çështjes së zaptimit të pronave të banorëve të Kakomesë nga tre individë që prej vitit 2005.

Pronat e tyre sot janë zaptuar nga këta individë dhe askush prej banorëve nuk munden të shkojnë në pronën e tyre prej 15 vitesh pasi janë rrethuar me tela. Pronat banorët i kanë përfituar përmes ligjit 7501 dhe tapitë i kanë në dorë me një vlerë totale prej 20 ha. Banorët kanë rrëfyer dhe akuzuar politikanët shqiptarë te këto 15 vite pasi kane favorizuar uzurpimin e pronave të tyre.

Banoret e Kakomesë po sot pasi janë hequr nga policia nga ambientet e jashtme të gjykatës kane bërë kallëzim penal ndaj gjykatëses Shaholli në Policinë e Gjirokastrës. Ata kanë kërcënuar me intensifikim te veprimeve ditën e shtunë.

Jemi një pjesë e banorëve nga Bashkia Himarë, po flasim për tokat në Kakome që i kemi marrë me ligjin 7501, janë çuar AMTP-të në hipotekën e Sarandës, kemi dy vjet e gjysmë që po na zvarrisin dhe nuk na i japin. Për këtë i jemi drejtuar Gjykatës Administrative në Gjirokastër, e cila dje ka marrë një vendim të paqenë. Është kjo zonja Ema Shaholli, që ka dhënë një vendim duke mos na pyetur as ne, as avokatin, as një njeri. Thjesht ka marrë emrat tanë dhe më pas është çuar ka marrë një vendim që është mos kompetencë e jona dhe shkoni në Vlorë thotë, duke qenë me dokumentet tona në Sarandë, në zyrën e hipotekës së Sarandës. Ka dy vjet e gjysmë, çfarë lidhje kemi ne me Vlorën, përse na çon në Vlorë. Na zvarrisin. Ky është një korrupsion i gjallë dhe e them me plot bindjen se kjo ka marrë lekët. Ka marrë lekët që të bëhej kjo gjë që u bë. Për këtë kërkojmë drejtësi. Jemi përpara drejtësisë këtu, po bëjmë kallëzim penal për ta çuar tek SPAK-u këtë zonjën dhe për të gjithë gjykatat që po na zvarrisin. Janë 20 ha tokë që mbahet me forcë nga policia e shtetit dhe policia private për oligarkët, pra ata që nuk kanë asnjë lloj dokumenti në hipotekën e Sarandës, pra dokumentet janë tonat dhe nuk po na i japin. Nuk po na bëjnë regjistrimin, kemi dy vjet e gjysmë kemi paguar dhe lekët, të gjitha tatimet. Toka është e jona, ne do ta mbrojmë me çdo kusht-tha njëri nga banorët.

Banorët kanë dokumentet që vërtetojnë se tokat janë të tyre, por hipoteka e Sarandës nuk u bën regjistrimin.

Ne kemi shkuar për t’u regjistruar në hipotekën e Sarandës, kemi dy vjet që hipoteka nuk na e ka bërë regjistrimin dhe nuk duan ta bëjnë. Na bien vërdallë, jo duhet një dokument atje, jo duhet të shkojnë në Tiranë. Dyshojmë se këtu është një korrupsion i paparë. Gjykata, policia janë të lidhur të gjithë me krimin. Flitet për një zotëri Luan Leka dhe Dritan Çela. Ajo është pronë e fshatit e kemi pasur që në kohë të Turqisë. e kemi shfrytëzuar vetë atë tokë, që e kemi bërë fushë dhe e kemi marrë me ligjin 7501. Ai zotëria nuk ka lidhje fare me pronat tona, nuk ka lidhje fare me Sarandën. Thonë që ua ka dhënë Fatos Nano, thonë që ua ka dhënë Sali Berisha me dokumente fallco. Pronarët e vjetër jemi ne që në kohën e Turqisë. Në 2005 u dha si udhëzim që do të bëhej nja fshat turistik. Dolëm në mbrojtje të pronave tona, sepse e pamë që ishte një vjedhje. Dolëm dhe e kundërshtuam. Na prunë 1200 policë, me skafanda, me snajper dhe na rrahën policia. Kanë qenë zvarritjet nga qeveria. Do bëjmë dokumentet për SPAK do t’i bëjmë kallëzim penal gjykatëses-thotë një banor tjetër.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu