Universiteti i Gjirokastrës ka firmosur Protokollin e Bashkëpunimit me Universitetin e Janinës.
Kuadri i bashkëpunimit mes dy universiteteve i referohet aspektit akademik dhe kërkimor në nivel universitar, pasuniversitar dhe doktoraturë. Qëllimi i bashkëpunimit është përmirësimi i përmbajtjes së programeve të studimit të Universitetit të Gjirokastrës dhe çertifikimi i tyre, aplikimi i projekteve të përbashkëta dhe dizenjimi i programeve të studimit për të tre ciklet.
E pranishme në event, ministrja Evis Kushi vlerësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje në kuadër të ndërkombëtarizimit. Ajo theksoi se nënshkrimi i saj do të shërbejë edhe për forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë në fusha të ndryshme të jetës.
Për ministren Kushi, qëllimi është njehësimi i diplomave shqiptare me ato evropiane. Universiteti i Janinës dhe Universiteti “Eqrem Çabej” i Gjirokastrës kanë ndjekur një qasje në rritje drejt bashkëpunimit të frytshëm që në vitin 1993. Marrëveshjet e Bashkëpunimit në rang institucional, kanë forcuar partneritetin strategjik duke bërë të mundur realizimin e suksesshëm të projekteve të përbashkëta kërkimore.
Universiteti i Janinës ka akorduar një numër të konsiderueshëm diplomash pasuniversitare PHD për studentët që vijnë nga rajoni i Gjirokastrës.