Në raportin e fundit të Anfimafias italiane në Parlament, është vënë theksi tek fenomeni i trafikut të drogës në “rrugën e konsoliduar Adriatik- Shqipëri – Puglia”.

Raporti, sipas mediave italiane, “konfirmon sesi krimi i organizuar në Puglia, duke shfrytëzuar kanalet e furnizimit kombëtar dhe të huaj, mbikëqyr flukset e trafikut të drogës që vijnë kryesisht nga ana e Adriatikut, kalojnë tranzit përmes Rajonit dhe janë të orientuara drejt qendrave kombëtare apo të huaja të tregtimit të drogës”.

Në këtë nivel, nënvizojnë hetuesit e Dia-s, “marrëdhëniet me bandat kriminale shqiptare mbeten të konsoliduara, të cilat përfaqësojnë një burim të rëndësishëm furnizimi me marijuanë, heroinë, droga sintetike me origjinë aziatike dhe kokainë të importuar në Shqipëri nga trafikantët kolumbianë”.

“Në marrëdhëniet me bandat kriminale shqiptare del në pah tendenca e këtyre të fundit për të përdorur kanalet e menaxhuara nga bandat puliane për transportin e drogës edhe përtej Rajonit drejt tregut ndërkombëtar”, thekson raporti.

Sipas mediave italiane, “Dia ka promovuar një iniciativë që synon nxitjen e trajnimit të disa hetuesve shqiptarë të Byrosë Kombëtare tëHetimit, duke vënë në dispozicion të policisë shqiptare përvojën më të mirë hetimore kombëtare për çështje strategjike, siç është lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës”.