Pak me shume se kater vite nga rreshkitja e një masivi dheu në lagjen “Kodra e shtufit” në Gjirokastër që përmbyti banesat e një pallati, rreshjet e dendura të ditëve të fundit rishfaqën sërish problematika në këtë zonë.
Rreshjet e një nate më parë shkaktuan shembjen e një segmenti rrugor në këtë lagje duke rishfaqur sërish panikun e ripërsëritjes së situatës problematike. Specialisti i shërbimit gjeologjik Adem Draçi që monitoroi nga afër situatën, pohoi se gjendja nuk është e rrezikshme për banesat pranë, ndërsa do të kryhet studimi për ndërhyrjet e duhura për stabilizimin e rrugës, përgjegjësi që do të merret përsipër nga Bashkia Gjirokastër. Sipas tij shkak mbeten ndërtimet pa kriter në një zonë problematike.
Si masë paraprake është kryer bllokimi i aksit duke mos lejuar qarkullimin e automjeteve deri në përfundimin e punimeve. Nderkaq banoret e pallateve aty prane nuk e kane fshehur friken per situaten qe po ndodh.
Situata e reshjeve po monitorohet nga Shtabi i Emergjencave. “Kodra e shtufit” vijon të mbetet një nga pikat e nxehta dhe të rrezikshme në rast reshjesh të dendura. Ndërtimet e viteve të fundit në këtë zonë problematike, ku deri në fillim të viteve ’90 ishin të ndaluara për shkak të terrenit shtufor të paqëndrueshëm gjeologjik, janë shkaku kryesor i rrëshqitjeve të vazhdueshme.