Media britanike “The Mirror” ka pasqyruar ngjarjen e rëndë që ndodhi në brigjet shqiptare, tragjedinë ku humbi jetën Jonada Avdia, vajza 7 vjeçare e goditur nga skafi i shefit të policisë, tashmë të shkarkuar dhe përjashtuar, Arjan Tase.

Sipas Mirror, 7-vjeçarja Jonada Avdia, jetonte në në Barking, në lindje të Londrës.

“Një vajzë e re britanike ka humbur jetën në një aksident të tmerrshëm pasi dyshohet se u godit nga skafi i një polici jashtë shërbimit teksa po pushonte në Shqipëri.

Vdekja e Jonada Avdias ka sjellë protesta në të gjithë vendin duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrave.

Shtatë vjeçarja humbi jetën pasi polici Arjan Tase dyshohet se po manovronte rrezikshëm me skafin e tij në plazhin e Potamit në Himarë, në jug të Shqipërisë.

Policia konfirmoi se rreth orës 14:00 të së martës shoferi i skafit humbi kontrollin dhe goditi fëmijën nga Barking në Londër, e cila vdiq menjëherë në vendngjarje.

Ai pritet të dalë të premten para gjykatës së Vlorës pasi u akuzua për vrasje nga pakujdesia”, shkruan Mirror.