Prej vitesh Greqia ka vetëm një kusht kryesor për rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE, që është respektimi i të drejtave të minoritetit. Me të njëjtën gjuhë ka folur sërish sot edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, parti që mbron të drejtat e minoritetit grek.

E ndërsa ka akuzuar qeverinë, ai i ka kujtuar detyrat që duhet të realizojë. “Respektimi i të drejtave të minoritetit do të bëhet realitet se rrugë tjetër nuk ka. Është një shkallë që pa e ngjitur nuk mund të arrihet në integrim. Nuk mund të kapërcehet.

Pse minoritetet në Mal të Zi duhet të kenë të drejtat e tyre për festimin e festave kombëtare ndërsa tek ne kjo nuk mund të jetë e rregulluar me ligj. Nuk mund të jemi në rolin e strucit që fut kokën në rërë,  kujtojmë se të tjerët nuk e shikojnë realitetin në vendin tonë. Mbrojtja e të drejtave të minoriteteve është ‘litmus test’ është si letra e lakmuesit për lirinë dhe shtetin e së drejtës.

Jemi një vend që aspirojmë të jemi si të barabartë në familjen europiane. A mund të ndodhë kjo pa u europianizuar. Integrimi në BE do të thotë europianizim i vazhdueshëm në çdo fushë të jetës. Beteja jonë është një betejë komplekse, e vështirë.

Ndërlikimi i situatës politike si aktualisht e bën dhe më të vështirë. Ne kemi aleatë kohën dhe durimin tonë” deklaroi ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu