Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ndoqi nga afër një ditë nga trajnimi i efektivëve të Forcës Tokësore nga një grup i Brigadës së Sigurisë dhe Trajnimit të Komandës Evropiane të SHBA (SFAB).

Ministri Peleshi tha se ky trajnim i shërben rritjes së nivelit të Forcave të Armatosura shqiptare, si pjesë e NATO-s dhe certifikimit, në shtator nga Aleanca.

“Ne kemi një kapacitet të deklaruar në NATO të dislokueshëm në raste operacionesh, në raste nevojash që është grup Batalioni i Këmbësorisë. Natyrisht na duhet vazhdimishit të trajnohemi dhe të mbajmë standardet e kërkuara nga NATO e për këtë kemi nevojë për asistencë. Kemi asistencë të vyer nga partneri strategjik SHBA, të cilët përmes Brigadës së Sigurisë dhe Trajnimit punojnë bashkë me Forcën Tokësore, grup batalionin e këmbësorisë për t’i ngritur në nivelin që kërkon NATO. Në shtator jemi të bindur që me sa po shohim, me ecurinë e këtyre stërvitjeve, trajnimeve ne do të marrim me sukses certifikimin e kapacitetit tonë të deklaruar në NATO”, u shpreh ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.