Alarmi ndërkombëtar për variantin e ri të koronavirusit në Britaninë e Madhe po vjen duke u shtuar, raporton BBC. Virusi duket se përhapet më lehtësisht. Shqetësues është fakti se ky variant duket se prek fëmijët. Më poshtë përgjigjet për tre pyetje bazike për këtë mutacion

Nga ka ardhur?

Varianti është në mënyrë të pazakontë i mbushur me mutacione. Shpjegimi më i mundshëm është që varianti ka dalë në një pacient me sistem të dobët imunitar, që nuk ka qenë në gjendje të mposhtë virusin. Në vend të kësaj, trupi i tij është bërë një terren pjellor për virusin që të pësojë mutacion.

A është më vdekjeprurës?

Nuk ka të dhëna që sugjerojnë se është më vdekjeprurës, edhe pse duhet të monitorohet. Megjithatë, thjesht lehtësia e përhapjes do të ishte e mjaftueshme për të shkaktuar probleme për spitalet. Nëse varianti i ri do të thotë se më shumë njerëz infektohen më shpejt, kjo do të thotë se më shumë njerëz do të kërkojnë trajtim spitalor.

A do funksionojë vaksina?

Pothuajse me siguri që PO, të paktën për tani. Të tri vaksinat kryesore deri më tani krijojnë një reagim imunitar ndaj ‘thumbit’ ekzistues të virusit, prandaj ngrihet kjo pyetje. Vaksinat e trajnojnë sistemin imunitar që të sulmojë disa pjesë të ndryshme të virusit, kështu që edhe nëse pëson mutacion ‘thumbi’ i virusit, vaksinat duhet të funksionojnë sërish. Por nëse do të ketë më shumë mutacione te ky variant i koronavirusit, atëherë duhet të shqetësohemi. Ky virus është në rrugën e arratisjes nga vaksina dhe ka bërë disa hapa në këtë drejtim. Arratisja nga vaksina ndodh kur virusi ndryshon aq sa i shmang efektet e plota të vaksinës dhe vazhdon të infektojë njerëzit. Ky është elementi më shqetësues i asaj që po ndodh me virusin. Ky variant thjesht na tregon se virusi vazhdon të përshtatet në mënyrë që të infektojë sa më shumë njerëz. Edhe ky virus mund të gjenerojë mutacione që të shpëtojë nga vaksina. Kjo do na vendoste në një pozicion të ngjashëm me gripin, ku vaksinat duhet të përditësohen rregullisht. Për fat të mirë, vaksinat që kemi janë lehtësisht të përditësueshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu