Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Muzgu”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve D. B., 29 vjeç, A. R., 37 vjeç dhe J. Sh., 36 vjeç, banues në Elbasan.

Specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se përgjatë aksit rrugor Kakavijë-Gjirokastër, me dy mjete do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e mjeteve dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve D. B., A. R. dhe J. Sh., të cilët, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në afërsi të fshatit Vanistër, u kapën duke transportuar 5 shtetas të huaj në drejtim të Tiranës, me mjetet autoveturë tip “Ford” dhe “Volkswagen”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet.

Brenda një kohe të shkurtër është goditur edhe një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Përmet, kanë bërë arrestimin e shtetasit F. D., 18 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Çarçovë-Përmet, në afërsi të fshatit Munishtir, duke transportuar 6 shtetas të huaj me një mjet tip furgon të marrë me qira, të cilin e drejtonte pa leje drejtimi. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu