Në fillim të këtij muaji Jonada Avdia, një vajzë shtatëvjecare, që jetonte në Angli me familjen e saj shqiptare, u godit për vdekje nga helika e një skafi, të drejtuar nga një oficer policie, Arian Tase, që ishte jashtë detyrës, kur ajo po luante me të jatin në zonën ekskluzive të notit, në një plazh në Himarë.

“Kemi të bëjmë me një ngjarje ku një person krejt i papërgjegjshëm ka thyer çdo ligj dhe rregull duke tejkaluar kordonin e sigurisë dhe bërë manovra të rrezikshme, i cili meriton ndëshkim maksimal,” tha për DW, ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Megjithatë arrestimi i autorit të incidentit dhe shkarkimi i menjëhershëm nga Policia e Shtetit i 15 punonjëve të policisë lokale, që duhet të ruanin plazhin, nuk e kanë ulur shqetësimin e qytetarëve për sigurinë e jetës. Krahas luleve dhe qirinjve në kujtim të vogëlushes së vrarë, protestuesit kërkojnë drejtësi dhe pëgjegjshmëri nga instituciomet shtetëtërore, ku kryesorja eshte largimi i ministrave Kumbaro dhe Cuci.

Ngjarja kriminale, ku humbi jetën Jonada Avdia, është paraprirë muajin e kaluar nga 2 incidente të tjera, që fatmirësisht nuk shkaktuan viktima. Sipas burimeve zyrtare në korrik të këtij viti, në plazhin e Jalës, po në bashkinë e Himarës, një çift të rinjsh u goditën nga një skaf që lëvizte me shpejtësi në det, drejtuesi i së cilit humbi kontrollin e tij. Skafi përfundoi në breg dhe goditi çiftin e të rinjve, njëri prej të cilëve u shtrua në spital prej plagëve të rënda. Një fëmijë në plazhin e Vlorës u godit në breg të detit nga një skaf dhe mori mjekim në spital.

“Ne po bëjmë gati paketën e rregullave të reja për normimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve turistike detare. Kemi kërkuar nga Policia e Shtetit dhe Policia Kufitare monitorim të rreptë të hapësirës ujore në plazhe si edhe ndëshkime maksimale për kundravajtësit”, thotë për DW, ministrja Kumbaro.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu