Vijojnë operacionet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Road Guard 29”.

Transportonte 6 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 35-vjeçari kosovar.

Sekuestrohen 1 automjet, 1 aparat celular dhe një shumë parash.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Road Guard 29”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi S. B., 35 vjeç, banues në Kosovë.

Në aksin rrugor Këlcyrë-Ura e Leklit, në afërsi të fshatit “Kodër”, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin S. B., duke transportuar me automjetin “Volkswagen”, 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, 1 aparat celular dhe një shumë parash.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.