Shqipëria po përballet me krizën e fuqisë punëtore. Por projeksionet janë akoma më shqetësuese për vitet që vijnë.

Prirjet e larta të emigracionit pritet të krijojnë mungesa shqetësuese të fuqisë punëtore në të gjithë sektorët e ekonomisë për të gjitha llojet e profesioneve deri në vitin 2030, thotë një studim i fundit i Fondacionit të Trajnimeve Europiane.

Studimi vë në dukje se vendet e Ballkanit Perëndimor, por sidomos Shqipëria, do të përballet me një krize të tregut të punës, që po krijohet në mënyre specifike nga emigracioni i lartë i moshave të reja.

Studimi vuri në dukje se, brenda periudhës së projeksionit 2020–2030, rezultatet e skenarit bazë tregojnë se, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të përballen me mungesë të fuqisë punëtore për të katër grupet e aftësive ( me arsim të ulët, të mesëm, të lartë dhe profesioneve).

Të dhënat e tjera të INSTAT treguan se emigracioni neto (diferenca ndërmjet të ikurve dhe të kthyerve) ishte minus 43 mijë persona me 2021. Studimi i Qendrës Rajonale të Trajnimeve tregon se, largimi i trurit ka qenë veçanërisht dramatik për Shqipërinë, ku 40% e personave me arsim të lartë dhe stafeve akademike kanë emigruar.

Në tre vitet e fundit mungesa e punonjësve është kthyer në shqetësimin kryesor të klimës së biznesit në disa sektorë të industrisë përpunuese. Bizneset pohojnë se, mungesat janë evidente për të gjitha llojet aftësive dhe nivelet arsimore. Problemet më të mprehta po i kalojnë fabrikat e fasonit, të cilat po përballen me një mungesë akute të punonjësve në një kohë që kërkesa për punë nga jashtë është shumëfishuar.

Sipas INSTAT, në total, në vend kishte 36 mijë banorë më pak në janar të vitit 2022, në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.