Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dhënë informacion sot lidhur me mënyrën se si do të aplikohet nga punonjësit për të përfituar Paketën nr. 2 të Ndihmës financiare nga shteti në kushtet e pandemisë.

Ministrja e Financave Anila Denaj po ashtu sqaroi në Fb se “në ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve, fillojnë aplikimet për ndihmën financiare 40 mijë lekë për 176 mijë qytetarë:

Për 100 mijë qytetarë të punësuar dhe të vetëpunësuar në 46 520 biznese me xhiro deri 14 milion lekë; për 20 mijë qytetarë të punësuar në rreth 1300 biznese me xhiro mbi 14 milion lekë; për 46 mijë qytetarë të larguar nga puna për shkak të COVID19 dhe 10 mijë të punësuar në sektorin e turizmit.

Ftojmë subjektet të plotësojnë kërkesën  pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve duke filluar nga data 21 prill. Plotësoni me përgjegjësi të dhënat personale të punonjësve dhe llogaritë e tyre bankare,”përfundon Denaj dhe tregon më tej, procedurat e mëtejeshme dhe kriteret e aplikimit.

Mënyra e aplikimit për të përfituar ndihmën financiare sipas VKM nr. 305, datë 16.04.2020.

Në bazë të VKM nr.305 datë 16.04.2020 “ Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit  dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit aktualë dhe punonjësit e larguar nga puna si pasojë e covid-19”, aplikimi do të kryhet nga subjektet, të cilët do të plotësojnë të dhënat e punonjësve të tyre, përfitues sipas kritereve të VKM së sipërcituar.

Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, të mbyllura sipas Urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë.

Të punësuarit e subjekteve të lejuar për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS deri në datën 10 Prill 2020, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Data e dorëzimit të formularit E-sig 027, nuk duhet të jenë më e vonë së 10 Prill 2020.

Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 lekë, të lejuara për të ushtruar aktivitet sipas Urdhërit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë që në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. (Nuk përfshihen punonjësit përfitues sipas pikës 2)

Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listëpagesat e subjekteve, deri në datën e Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Nëse subjekti ushtron disa lloje aktivitetesh, përfitojnë vetëm të punësuarit në aktivitetin e strukturës akomoduese.

Për të dorëzuar formularin “Kërkesë për Përfitim të Ndihmës Financiare 2”, tatimpaguesit të cilet plotësojnë kriteret e mësipërme, do të njoftohen në llogarinë e tyre të deklarimit elektronik në e-filing dhe do t’iu jepet mundësia të aplikojnë nëpërmjet kësaj llogarie duke filluar nga data 21 Prill e në vijim. Formulari nr.2 do të plotësohet me të dhënat e kërkuara vetëm 1 herë.

Kujdes:

Aplikimi për të përfituar ndihmë financiare do të kryhet nga subjekti i të punësuarit/ve dhe punonjësi/it, të cilët figurojnë në më tepër se në një listëpagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagesë.

Të dhënat e llogarisë bankare, bëjnë pjesë në të dhënat e detyrueshme për t’u plotësuar në Formularin e përfitimit të ndihmës financiare 2. Ato duhet të disponohen nga individët përfitues dhe duhet t’i vihen në dispozicion subjektit, përpara kryerjes së aplikimit elektronikisht në llogarinë e deklarimit elektronik.

Subjektet që do të plotësojnë kërkesën, duhet të sigurohen që të plotësojnë të dhënat e sakta të individëve përfitues, ku banka dhe IBAN i llogarisë bankare janë të dhëna shumë të rëndësishme. Plotësimi jo i saktë i këtyre të dhënave bllokon proçesin e kalimit të pagesës në llogarinë e individëve përfitues.

Individët, me status i vetëpunësuar, përfitues sipas VKM-së 305, datë  16.04.2020, në plotësimin e Formularit për përfitimin e ndihmës financiare, nëse nuk disponojnë një llogari personale, mund të përdorin të dhënat e llogarisë bankare të hapur për qellim të biznesit.

Nëse nuk e disponojnë një llogari biznesi, do të duhet të paraqiten pranë një prej bankave të niveli të dytë, për të bërë të mundur hapjen e një llogarie bankare personale apo biznesi.

Individët përfitues (punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar; të punësuarit në personat fizikë tregtarë; të punësuarit në personat juridikë), të cilët nuk disponojnë një llogari bankare aktive, duhet të paraqiten pranë një prej bankave të nivelit të dytë që operojnë në vendin tonë, për të bërë të mundur hapjen e një llogarie bankare.

Subjektet me status i vetëpunësur, të cilët mund të jenë nën masa të mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore (bllokim llogarie bankare), duhet të hapin një llogari personale bankare, (e cila nuk mund të përdoret për qëllime te tjera), për të bërë të mundur përfitimin e ndihmës financiare.

Nuk përfitojnë ndihmë financiare sipas VKM nr. 305 datë 16.04.2020:

-Individët e punësuar, të cilët për vitin 2019 kanë realizuar të ardhura bruto nga paga mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë.

-Punonjesit e institucioneve shtetërore si dhe të punësuarit në shoqëritë me kapital shtetëror.

-Organizatat jofitimprurëse.

-Individët e subjekteve me objekt veprimtarie: tregti të produkteve ushqimore, fruta – perime, aktivitetet farmaceutike. Gjithashtu, nuk përfitojnë edhe individët e dypunësuar, ku njëri prej aktiviteteve bën pjesë në këtë kategori subjketesh.

-Individët e subjekteve të regjistruara si persona fizikë, të cilët ushtrojnë aktivitet sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, që lejohen të kryejnë aktivitetin sipas urdhrit/ve të MSHMS. Gjithashtu, nuk përfitojnë edhe individët e dypunësuar, ku njëri prej aktiviteteve bën pjesë në këtë kategori subjektesh.

-Punonjësi/it të cilët përfitojnë sipas VKM nr.254, datë 27.03.2020, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe masën e përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 milion leke, ndihmës ekonomike dhe të pagesës të të ardhurës nga papunësia gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e covid-19”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu