Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, e njohur ndryshe si SPAK, nisi sot zyrtarisht punën.
Tetë prokurorët e kësaj prokurorie, të betuar një ditë më parë te Presidenti me në krye kryetarin e zgjedhur nga KLP, Arben Kraja, do të kenë sot ditën e parë të punës.
Në orën 9.30, kreu i KLP, Gent Ibrahimi bashkë me kryetaret e komisioneve në Këshill, ishte prezent në ditën e parë të punës së SPAK tek godina e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Ky i fundit mbajti një fjalë të shkurtër.
“Kemi shumë punë për të bërë, falënderoj KLP të gjithë anëtarët për procesin transparent. Unë thashë edhe dje, i falenderoj edhe ata që votuan për mua edhe ata që votuan për kandidatët e tjerë. Bashkë me Dumanin dhe Kondilin do bëjmë një skuadër të fortë. Tani koha është për punë, jo për llafe”, tha ai.
Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme mori 6 vota nga anëtarët e KLP nga 4 vota që mori Altin Dumani. Ndërsa kandidati i tretë, Edvin Kondili mori vetëm votën e kryetarit të KLP, Gent Ibrahimi.
Anëtarët që votuan pro Krajës ishin Bujar Sheshi, Kosta Beluri, Alfred Balla, Vate Staka, Nurjan Seiti dhe Sandër Beci.
Ata e shpjeguan votën pro me faktin se Arben Kraja ka eksperiencë në menaxhimin e burimeve njerëzore.