Te Luftëtari, pas ditëve të gjata të karantinës të koronavirusit, para seancës stërvitore të pasdites së djeshme të orës 17:00, të gjithë futbollistët e pranishëm kryen tamponët për koronavirus.

Pa dyshim që kjo praktikë është risi në futbollin shqiptar, sepse asnjë skuadër tjetër nuk e ka rinisur punën duke zbatuar këtë protokoll, pasi dihet se ky lloj testimi ka koston e tij financiare.

Nisur nga fakti se një pjesë e bluzinjve vijnë nga zonat e kuqe, drejtuesit e shëndetit publik në Gjirokastër, nëpërmjet shefit të epidemiologjisë kaluan në “sitë” të gjithë lojtarët e pranishëm para seancës së parë zyrtare të pasdites së djeshme.

Lidhur me masat dhe rregullat e domosdoshme që duhen ndjekur para se futbolli të flasë në fushë, në një prononcim Arenc Brahimit, shefi i shërbimit të epidemiologjisë së Gjirokastrës ka thenë:

“Jeni vetë prezent dhe patë që u morën mostrat për të gjithë futbollistët dhe nesër (sot) pritet të dalin përgjigjet. Parë në këndvështrimin tonë, të gjithë futbollistët gëzonin shëndet të mirë, por gjithsesi duke qenë se një pjesë e lojtarëve vijnë nga zonat e kuqe, kryerja e analizave u bë sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe bashkëpunimit të ngushtë me klubin e Luftëtarit. Falënderoj drejtuesit e klubit duke filluar nga trajneri Neritan Novi, për gjuhën e mirëkuptimit, pasi këtu bëhet fjalë për jetë njerëzish dhe jo për futboll të luajtur në fushë.

Me këtë rast, dëshiroj të bëj me dije se nëse zbatohen të gjitha masat dhe procedurat shëndetësore, gjithçka do të shkojë mirë”, u shpreh Brahimi.

Mostrat e tamponëve i mori infermieri Fatjon Sherifi, ndërsa në krye të detyres ishin edhe pjestarët e stafit mjekësor të ekipit, Vladimir Bakalli dhe Juxhin Korbeci.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu