Një histori kokëfortë po vijon të shfaqet çdo ditë në këtë pandemi të koronavirusit në Shqipëri, e patrazuar, nga qeveria dhe autoritetet. Shumica e rasteve të reja të të prekurve vijnë nga fasoneritë. Vijnë nga ato fabrika të varfërisë tonë, që janë në fakt shembulli më i qartë se ku është Shqipëria. Në ca kapanone të mbyllura, të tmerrshme në verë për vapën, e akull në dimër, ku rreth 70 mijë vajza dhe nëna nuk marrin më shumë se 300 mijë lekë në muaj.

Fasoneritë po sfidojnë çdo ditë propagandën e kryeministrit, i cili, teksa po i mban të rrepta masat dhe kufizimet dhe e ka shtyrë gjendjen e fatkeqësisë natyrore deri me 23 qershor, nuk po ja del ta ndalë këtë vatër.

Për momentin është bërë e qartë se ku e ka strehën covid 19. Në një fasoneri në Krujë dhe tek një tjetër në Elbasan. Por rreziku i efektit zinxhir është potencial. Fasoneritë vazhdojnë të jenë të hapura, pra pallati i koronavirusit merr e jep gjithë kohës me shoqërinë.

Kaq paradokasale duket kjo, kur mendon se; kryeministri e normoi aq shumë lëvizjen dhe lirinë e qytetarëve, sa i ndau ata në liridalje disa minutëshe, ose i ndau më pas edhe në grupmosha, apo edhe në gjini, ama vetëm aty ku po gëlon infeksioni, nuk po ndërhyn.

Virusi po ulëret, po tregon ku është, ndryshe nga herët e tjera, po tregon se nuk është armiku i padukshëm me të cilin po kacafytet qeveria dhemb për dhemb prej 40 e ca ditësh, e prapë rilindja po mënon t’i mbyllë derën.

Arsyeja është e thjeshtë; 70 mijë vajza dhe gra, që edhe pse marrin një pagë mizerabël, janë kaq shumë për t’u paguar nga qeveria, pasi, me siguri, ato para i duhen për kontratat dhe punët me të përzgjedhurit e saj.

Rama edhe sot foli për taktika e strategji në luftë me të tmerrshmin armik të padukshëm. Po asnjë fjalë, pse nuk ndëhyn aty ku ai është identifikuar. Bëri të ditur se disa qytete e zona mund t’i mbajë shumë gjatë mbyllur, izoluar, qytete e bashki të tëra, ama disa kapanone nuk i nënshtron dot.

Tha se masat do të vijojnë deri sa të gjendet vaksina, po tek fasoneritë, aty ku është virusi, nuk shkel dot. Kjo të bën të kuptosh qartë shumë, si drita e diellit një gjë. Kryeministri e ka me më shumë pasion të sundojë njerëzit, t’i mbajë sa më shumë mbyllur ata, se sa të sundojë virusin. E para i jep mesa duket, veçanërisht kënaqësi e pushtet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu