Ditën e sotme, në fushë zbresin të gjitha skuadrat e Kategorisë Superiore për të zhvilluar javën e katërt. Kështu, kryesuesit me pikë të plota të kampionatit, Vllaznia do të luajnë në transfertë ndaj Teutës. Do të jenë durrsakët ata që do të mundohen të ndalin vrullin e shkodranëve, teksa kërkojnë të tregojnë forcën si një skuadër që pretendon titullin.

Sakaq, Tirana pas dy humbjeve radhazi në kampionat, duhet të kthehet te suksesi teksa pret në shtëpi Bylisin, me këta të fundit që ende nuk kanë shijuar fitoren e parë për këtë sezon. Edhe këtë herë trajneri Nevil Dede do të ketë mungesa titullarësh siç janë ato të Ccelhakës, Toshevski, Kale, apo edhe Giamfi. Ndërkohë, është rikuperuar Hoxhallari.

Ndërkaq, Kukësi pret Laçin, teksa të dyja skuadrat nuk kanë fituar ende në këtë sezon. Megjithatë, më keq paraqitet gjendja te verilindorët të cilët kanë vetëm një pikë, ndërsa kurbinasit kanë tre. Kukësi edhe në këtë takim do të vazhdojë të drejtohet nga Rrahman Hallaçi, pasi Skënder Gega ende nuk e ka kaluar koronavirusin. Ndërkohë, në ndeshjet e tjera, Partizani udhëton në Fier ku e pret përballja me Apoloninë, ndërsa Skënderbeu pret Kastriotin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu