Mëngjesin kësaj të shtune, më 21 nëntor, anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë nisur procesin e zgjedhjeve për anëtarët e Konventës Kombëtare dhe kreun e ri të partisë. Më 5 dhjetor do të zgjidhet kryesia e re e partisë dhe drejtuesit.

Anëtarësia LSI brenda dhe jashtë vendit, veç votimit fizik, do të ketë mundësi që të përdorë votimin online.

Në historinë e zgjedhjeve partiake, kjo është hera e parë që një forcë politike mundëson votimin online të anëtarësisë së saj. Të gjithë qytetarët që janë pjesë e kësaj force politike dhe janë regjistruar me kartë anëtarësie do të mund të regjistrohen në platformën e posaçme dhe në bazë të rregullave do të votojnë sipas dëshirës për kandidatët që preferojnë.

Vendimi për votimin online është zgjidhja më e përshtatshme edhe për situatën e pandemisë në të cilën ndodhet vendi. Duke pasur mundësinë e votimit online, qytetarët do të mund të shmangin radhët e gjata dhe rrezikun e pandemisë që kërcënon gjithë shqiptarët. Votimi online është një mundësi që u jepet dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Me anë të aplikacionit të sigurt, qytetarët që jetojnë në vendet e BE, në SHBA dhe kudo tjetër, nëse janë anëtarë të LSI, mund të bëhen pjesë e zgjedhjes së ekipit drejtues të kësaj force politike.

Nga ana tjetër, me votimin online LSI i është përshtatur më së miri dhe votuesve online. Sot të rinjtë që janë në parti politike bëjnë pjesë në brezin e teknologjisë dhe komunikimit online. Ndaj në vend të teserave partiake tradicionale, LSI ka zgjedhur që ta përshtasë partinë për moshën dhe epokën dixhitale.

Procesi i votimit dhe numërimit online zhvillohet në bazë të standardeve më të zhvilluara të partive të vendeve të BE.

Silva Caka, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në LSI ka sqaruar se votimi do të jetë i hapur sot më datën 21 nga ora09:00 deri në orën 18:00. Ajo theksoi se votimi online do të kryhet me anë të aplikacionit “Join LSI”. Ndërsa, veç votimit online, në degët e partisë do të funksionojë edhe votimi tradicional.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu