Nga Poli Hoxha 

Është një proces, për të cilin jam shprehur. Ajo godinë duhet shembur dhe Shqipëria duhet të ketë një teatër të ri kombëtar të denjë për këtë emër. Mezi pres të shoh teatrin e ri kombëtar. Të gjithë kanë të drejtë të kenë opinionet e tyre, por në fund vendos shumica. Ne jemi shumica dhe e kemi marrë këtë vendim. Nuk shoh sesi pakica, mund të imponohet në vendimmarrje.’

Ky që flet kështu është Edi Rama, i cili e ka provokuar vendin deri në prag destabiliteti, por kurrsesi nuk ka pranuar që të testojë veten dhe partinë që drejton, nëse është vërtet shumicë reale pas gati 8 viteve qeverisje të mbushur me skandale qeveritare, korrupsion flagrantë dhe drogë `për të tërë` nëpër botë.

Edhe në shtetet me demokraci të deklaruar hibride, skandali i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe shndërrimi i vendit në një fermë gjigante të kultivimit të kanabisit, do ta kishte çuar vendin pa mëdyshje në zgjedhje të parakohshme.

E njëjta gjë, normalisht duhej të ndodhte pas publikimit të dosjeve (339 dhe 184) për vjedhjen e zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2017 dhe ato të pjesshme në Dibër më herët. Gjithashtu kryeministri nëse do të ishte vërtet i sigurt se ka me vete shumicën e shqiptarëve, do ta testonte këtë gjë edhe pas daljes në bllok të opozitës nga parlamenti dhe bojkotit të zgjedhjeve të fundit lokale.

Duke i pasur të gjitha në dorë siç dihet që i ka, do ta kishte kapur një mandate të tretë që vitin e kaluar kur opozita ngeli për muaj në sheshe dhe njëkohësisht do të kishte larë duart edhe me ndërkombëtarët.

Nuk e bëri, edhe pse hiqet si i fortë në Facebook!

Tashmë vendi është i zhytur prej kohësh në krizë të thellë ekonomike sipas FMM, Bankës Botërore dhe së fundmi këtë na e tha edhe BERZH. Me rastin e Pandemisë dhe keq-menaxhimit të ndihmës për biznesin, Shqipëria ka marrë një rrokullimë të lirë dhe me sa duken bathët, vetëm zgjedhjet e radhës në pranverën apo verën e vitit 2022, janë shpresa e vetme për një dritë në fund të tunelit.

Por le të kthehemi te ‘shumica’ që pretendon se ka Edi Rama, kur flet për prishjen e Teatrit Kombëtarë.

Nëse e ka fjalën për shumicën që ka në parlament, ajo është njollosur dhe delegjitimuar vetëm nëse llogarisim dosjen `339`, e cila kur u hap nga gazeta e madhe gjermane BILD, mbushi me kutërbim gjithë Europën.

Sipas kalkulimeve që dalin pas analizimit të përgjimeve të publikuara deri më tani, të paktën 15 mandate deputetësh të Rilindjes rezultojnë të grabitur; nëpërmjet imponimit të pushtetit, krimit të organizuar, përfshirjes së policisë dhe madje edhe nëpërmjet injektimit të shumave të mëdha financiare.

E njëjta skemë si në Elbasan, Durrës, Krujë, Lezhë, Shkodër etj, rezulton se është aplikuar në të gjithë vendin gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.

Mjafton vetëm fakti që zgjedhjet e vitit 2017 pas të cilave Edi Rama mori timonin i vetëm, u zhvilluan menjëherë pas `vitit jeshil` 2016 kur qeveria lejoi shndërrimin e vendit në plantacionin legal më të madh të drogës, të parë ndonjëherë nëpër botë.

Nëse Edi Rama e ka fjalën për ‘shumicën’ që ka në bashkinë e Tiranës meqenëse edhe ja kaloi asaj në mënyrë antikushtetuese fatin e Teatrin Kombëtarë, atëherë ‘shumica’ e tij rezulton edhe më qesharake.

Po ti referohemi shifrave më optimiste e të fryra pa doganë nga Rilindja, në zgjedhjet lokale të vitit të shkuar morën pjesë vetëm 22% e shqiptarëve që votojnë. Ato zgjedhje në fakt ishin një test në të cilin Edi Rama e pa qartë, se sa shumë e ndjekin shqiptarët. Ai u katandis në pakicë, edhe pse dhuna verbale dhe shantazhi në administratën shtetërore, mbi armatën e mësuesve apo nëpërmjet taksa tatimeve te biznesi i vogël dhe i mesëm ishte e paprecedentë.

Por përveç të gjithë këtyre, Edi Rama, kur i referohet çështjes së Teatrit Kombëtarë me qëllim fshihet pas ‘shumicës’ formale që ka në parlament dhe pushtetin lokal, për cilat nuk pati zgjedhje por vetëm votime njëpartiake njësoj si në Kinë.

Çështja e Teatrit Kombëtarë si trashëgimi e pasurisë kulturore, nuk ka të bëjë fare me rreshtimet partiake apo politike të popullsisë gjatë zgjedhjeve. Edi Rama ka dashur e planifikuar që ta prishë teatrin, që në kohën kur nuk ishte fare anëtar i PS-së. Madje atëherë ishin vetë anëtarët dhe lidershipi i PS-së në pushtet, që e penguan.

Ndaj Edi Rama edhe sikur vërtet PS të jetë shumicë në këto momente, mashtron kur përzien partinë dhe votat që mbledh ajo. Në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2017 kur kërkoi timon e tepsi pa ortak, nuk e zuri fare në gojë shembjen e Teatrin Kombëtarë.

Teatri në fjalë si godinë është etiketuar si ‘fashist`, ‘komunist’, ‘demokrat’, ‘socialist’ e kushedi se çfarë tjetër. Por ai ka pasur vetëm një fill, një frymë e një shpirt që askush nuk ka mundur t`ja ngjisë e t`ja heqë si etiketë sa herë të dojë; atë të shpirtit artistik dhe kulturor Kombëtarë!

Kurrkush nuk ka guxuar, duke përfshirë edhe vetë Ramën, që t`ja heqë publikisht këtë tharm. Prandaj edhe shumë e shumë që janë pozicionuar në mbrojtje të tij, nuk kanë asnjë lidhje me militantizmin partiak. Ndaj edhe organizatat më të mëdha europiane të mbrojtjes së trashëgimisë, vetë KiE e qindra personalitete të artit e të kulturës botërore, i kanë dalë në mbrojtje.

Politike çështjen e Teatrit Kombëtarë e bëri vetë, Edi Rama, i cili prapa shembjes së tij kishte si plan që prej më shumë se dy dekadash një projekt korruptiv dhe klientelist ndërtimesh luksoze. Në kurriz të pronës publike, më të çmuar në kryeqytet. U bë politik debati kur guxoi e bëri një ligj me ‘shumicën’ e tij formale në parlament vetëm për një individ dhe vetëm për një kompani, duke shfrytëzuar mungesën e Gjykatës Kushtetuese.

Çështja e Teatrit Kombëtarë përveçse një beteje kombëtare në ruajtje të kujtesës dhe konstelacionit shpirtëror, tashmë është jo vetëm shumë politike, por madje edhe vepër penale e krim kushtetues. Në kuptimin e të mirës dhe të ligës; e të drejtës dhe të mbrapshtës. Por kurrsesi fati i Tetarit nuk mund të jetë në duart e produktit të një gare ndër-partiake në zgjedhjet e shkuara të njollosura, siç kërkon ta trajtojë Edi Rama me djallëzi.

Meqenëse ka frikë nga zgjedhjet e parakohshme për të testuar sukseset e veta virtuale, dakord le të vazhdojë deri në garën e radhës me opozitën.

Por Teatrin Kombëtarë nuk ka lidhje me shumicat e pakicat, që dalin në mënyrë të dyshimtë nga kutitë e votimit që tash e 30 vite.

Nëse Edi Rama beson vërtet se për plan-fiksimin e tij të vjetër ka viston e shumicës së shqiptarëve, mjafton që të bëjë një referendum me vetëm një pyetje të thjeshtë; Të prishet, apo jo?!

Firmat janë mbledhur me kohë, mjafton që të lejojë testimin.

Përndryshe, edhe rëra ku fut kokën struci kur është në hall, ‘shumicë e madhe’ është; por prapanica jashtë që jashtë i ngelet!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu