Raportohet se Edi Rama nuk do të kandidojë më në Vlorën e tij `të preferuar`. Mësohet gjithashtu, se ai ka zgjedhur që të futet në parlament nëpërmjet `elektoratit` të Durrësit.

Kjo lëvizje nuk është surprizë. Është fundi i një metamorfoze të kryetarit të Partisë Socialiste, që e ktheu këtë organizatë të madhe politike në një sipërmarrje politiko-kriminale.

Cila është metamorfoza?!

Kryetari i PS-së ka frikë të kandidojë në Vlorën `e majtë`, por ndihet i sigurt në Durrësin e `Niçes` dhe të `Xhuxhit`.

Pra ikën nga një zonë ku Partia Socialiste dikur ndihej e sigurt në fitoret elektorale dhe gjen strehë në një zonë, ku jo vetëm sipas dosjes `339` të publikuara nga `Bild`, votimet kontrollohen nga një bashkëpunim krim-politik-pushtet.

Edi Rama edhe pse pretendon se në Vlorë gjatë 2 mandateve të tij bëri `mrekulli`, ndihet më i sigurt në Durrësin e transformuar për gati 15 vite nga Gjushi i tij, në një lavatriçe gjigante betoni dhe pastrimi parash.

Aty ku bashkia dhe të gjitha institucionet shtetërore me në krye hipotekën, e kanë shndërruar krimin e organizuar dhe trafikantët e mëdhenj të drogës në biznesmenë që marrin pa problem leje ndërtimi; pronarë tokash në bregdet me hipoteka të dyshimta; pronarë të Portit të Durrësit i cili sipas raporteve ndërkombëtare është kthyer në portën ndërmjetëse të kokainës nga Amerika Latine e Qendrore, drejt Europës.

Transformimi është se kryetari i PS-së, nuk ka më besim te partia me këtë emër. Ai ndihet i braktisur nga ajo PS, e cila në Vlorë vazhdon që për inerci të ketë militantë më shumë se kudo. Ndaj me një sinqeritet dhe kalkulim vetëmbrojtje, zgjedh si strehë të fundit organizatën politiko-kriminale `Rilindja` e cila në Durrës shkëlqeu si eksperiment.

Nga ana tjetër po ikën nga `Vlora e PS`, ku lufta e miqve të tij `biznesmenë` për të uzurpuar çfarë ka mbetur nga vija bregdetare bënë që Hipoteka aty të vendos një rekord botëror, për sa i përket numrit të drejtorëve që vihen e ikin gati çdo javë.

Në `Vlorën e majtë` ku milionerët e hashashit, shtypin në rrugë me makina luksoze shumicën e varfër. Aty ku nuk ke më mundësi të bësh më `plazh pa lek`, sepse shokët e Edi Ramës kanë grabitur edhe shkëmbinjtë në bregdet.

Në `Vlorën socialiste` ku Lungomare e cila do të mbaronte në vitin 2015, u bë si `Kalaja e Rozafës` ose një Kuçedër që thith miliona dhe nuk ngopet kurrë.

Në Vlorën `patriotike` e cila nuk njihet vetëm nga mbarë-shqiptaria për shpalljen e Pavarësisë, por edhe nga të gjitha organizatat ndërkombëtare të drogës, si `kryeqytet europian` i hashashit dhe jo vetëm.

Rama po ikën i frikësuar nga Vlora, jo vetëm sepse është i zhgënjyer nga Dritan Leli të cilin e `shpiku` vetë si kryetar bashkie, por sepse tani në fund të epopesë së tij të turpshme, ka besim vetëm te stili i Vangjush Dakos, Ahmetajt, Gjiknurit, Adulajve, Lul Berishës dhe gjithë `racës` së tyre.

Në fund të fundit, kjo lëvizje tregon edhe brengën e vetme që ka ky individ. Më shumë se mania për të vazhduar që të rijë në pushtet, e shqetëson e ardhmja.

E gjithë qenia e tij aty në plazhet e Dhërmiut, ndërkohë që virusi po bën kërdinë, punon për planin e shpëtimit. Se si do të marrë masat për t`ia hedhur ndëshkimit, për atë grabitje madhështore që i ka bërë në 8 vite Shqipërisë.

Për gropën e zezë që po lë pas, në bashkëpunim jo vetëm me klanin e tij të korruptuar, por edhe me krimin e organizuar e madje, edhe me llumin e llumit të tij.

Ndaj mos u habisni pse ikën nga Vlora `e sigurt`; Për herë të parë Edi Rama po tregohet transparent dhe i sinqertë.

Edi Rama po shkon aty dhe te ata që ia kanë borxh një gjë kaq të vogël, sa imuniteti i deputetit.

Gjithashtu ai shpreson se në Durrës do bëhet nami me vota për Ramën, pasi po bën `rindërtimin`.

Por si gjithmonë ka bërë një `gabim të vogël` në kalkulimet e tij;

Populli i Durrësit pasi njohu mirë Gjushin dhe Niçet, tani po sheh se këta as në pleqërinë e pushtetit nuk heqin dorë.

Vjedhin edhe vetë fatkeqësinë!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu