Shqipëria ndodhet prej një viti në krizën më të rëndë politike dhe institucionale që pas rënies së regjimit komunist. Parlament është ilegjitim, pasi opozita nuk është më pjesë e institucioneve. Pushteti vendor praktikisht është grabitur me votimet moniste të 30 qershorit. Qeveria dhe Kuvendi miratojnë ligje antikushtetuese dhe gjykatat nuk mund të flasin, pasi prej vitesh janë bllokuar qëllimisht nga mazhoranca, me justifikimin e reformës në drejtësi.

Kriza e rëndë politike ka sjellë dhe pasoja në ekonomi dhe 2020 duket një vit më i keq se ai plot probleme që lamë pas. Si për çdo krizë  politike dhe sherr që ndodhë në Tiranë, shqiptarët kthejnë sytë nga ndërkombëtarët. Këta të fundit janë ata që vijnë në Shqipëri për të ndarë palët nga kacafytja dhe për të qetësuar situatën. Por me krizën e kësaj radhe kemi një problem shumë herë më të madh. Këtë herë ndërkombëtarët jemi vetë ne. Shqipëria, pra qeveria “Rama”, është për një vit presidentja e radhës e OSBE-së, organizata më e rëndësishme ndërkombëtare që menaxhon zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve, sidomos në vende problematike si ne. OSBE ka ndërhyrë për problemet tipike shqiptare me zgjedhjet.

Ka reaguar për manipulimet, ka vlerësuar nëse një proces është i ligjshëm apo i manipuluar. Ky institucion ka ndërhyrë çdo 4 vjet për Kodin Zgjedhor. Ka negociuar mes palëve dhe ka ulur në shumë raste në tryezë opozitën me qeverinë. OSBE ka reaguar për krimin, korrupsionin dhe me qëndrimet apo raportet e saj ka vlerësuar nëse një qeveri ka pasur sukses apo ka dështuar në çështjet e sigurisë. Po ashtu, OSBE ka negociuar dhe krizat të tjera të rënda politike, kur opozita dhe pushteti janë përplasur ashpër në parlament apo në rrugë. Në krizën aktuale OSBE mund të kishte rolin e saj, por tani jemi para faktit të kryer se OSBE-ja është Edi Rama dhe qeveria e tij.

Konkretisht media ka disa muaj që ka reaguar fort për ligjin e ri që rikthen censurën dhe penalizon gazetarët. Ligji u miratua dhe arbitri që do të vlerësonte nëse ishte në rregull apo një shkelje e të drejtave të njeriut është OSBE. Sot ndodhemi në situatën ku qeveria “Rama” që miratoi ligjin e debatueshëm që rikthen censurën, do të flasë në emër të OSBE për cilësinë e këtij ligji! Dhe kryeministri Edi Rama foli ditën që mori detyrën dhe në cilësinë e drejtuesit të presidencës së OSBE dhe tha se ligji është shumë i mirë dhe sipas standardeve të OSBE. Pas kësaj deklarate, ku mund të ankohen mediat për cilësinë e ligjit?!

Situata me presidencën shqiptare të OSBE është qesharake dhe për debatin e fundit me reformën zgjedhore. Këtë proces e menaxhon historikisht OSBE dhe sherrin mes qeverisë dhe opozitës në 30 vite e kanë ndarë ekspertët e OSBE që marrin orientime nga qendra e organizatës në Vjenë. Ironikisht, nëse reforma zgjedhore është bërë në favor të PS apo opozitës, këtë vit do e vlerësojë “ndërkombëtari” Edi Rama. Sigurisht në qeveri thonë se Presidenca OSBE është vetëm një nga instrumentet që ka kjo organizatë, pasi qëndrimet mbahen nga institucionet e tjera si Asambleja Parlamentare dhe Sekretariati i Përgjithshëm. Por të gjithë ata që presin që kjo krizë në Shqipëri të zgjidhet nga ndërkombëtarët dhe ata të reagojnë me fortë për paligjshmëritë e kësaj qeverie, duhet të kuptojnë se gjithë selitë diplomatike do maten dy herë para se të flasin, pasi në Tiranë është vetë “koka” e OSBE për një vit.

Tashmë për zgjidhjen e krizës s’na mbetet vetëm t’i bëjmë thirrje presidencës së saj dhe Edi Ramës, axhendë të fusin dhe zgjidhjen e krizës në Tiranë. Me që Presidenca e OSBE këtë vit ka detyrë zgjidhjen e konfliktit Ukrainë-Rusi për Krimenë, afrimin në dialog të palëve në Lindjen e Mesme, luftën kundër trafikut të armëve e korrupsionit në gjithë botën, si dhe ruajtjen e lirisë së mediave, duhet t’i kërkojmë “ndërkombëtarit” Edi Rama që të hedhë sytë njëherë nga Shqipëria dhe kriza politike dhe kushtetuese që ku e ka futur vendin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu