Nga Enkel Bido

Sepse në kuptimin politiko-gjeografik shteti përbëhet nga tri elementë: nga territori, popullsia dhe nga pushteti publik, elementë prej të cilëve në shtetin tonë rilindist, popullsia është përgjysmuar, pushteti publik është dhënë me konçesion dhe territori është ndarë në 61 komitete egzekutive fill pas zgjedhës së 30 Qershorit.

Sepse shteti është shprehje e nevojës që ndien shoqëria për ekzistencën e një pushteti të organizuar, të pajisur me mjetet e duhura dhe i aftë për t’a drejtuar shoqërinë, duke i imponuar zgjidhjet më efektive dhe të arsyeshme, nëpërmjet normave juridike. Sepse shteti është një organizatë, por që dallohet nga organizatat e tjera që ekzistojnë në një shoqëri, për shkak të  karakterit të saj politik. Edhe partitë e ndryshme janë organizata politike, por ato nuk mund të identifikohen me shtetin dhe nuk mund të marrin funksionet e tij.

Ky është nocioni i shtetit. Mjaftojnë vetëm këto rreshta për të përkufizuar thelbin e një shteti, për të kuptuar se shqiptarët as në letër nuk e kanë një të tillë dhe jo vetëm nuk e kanë, por shteti i tyre ka kohë që nuk frymon dhe jo si pasojë e ndonjë insufiçence kardiake akute, por ka kohë që shtetin e kanë balsamosur dhe e kanë futur në një sarkofag të madh prej qelqi. Mjaftoi vetëm 26 Nëntori për ta kuptuar këtë.

Mjaftoi vetëm 26 nëntori për të parë sesi të zgjedhurit dhe përfaqësuesit tanë nëpërmjet pasthirrmave të tyre virtuale të FCB i drejtoheshin Zotit me thirrjet “O Zot mbaje dorën, o Zot kij mëshirë, o Zot ndalu me kaq” duke kërkuar dhe lëmoshë për atë çfarë solli 26 Nëntori.

Çfarë mjerimi përfaqësues, kur mendon që kjo klasë përfaqësuesish dhe të zgjedhurish, u kthyen në paganë që i drejtoheshin qiellit si hivarot e Ekuadorit që nëpërmjet bestytnive i ngrenë duart lart duke uluritur dhe në të njëjtën kohë përplasin shputat e këmbëve mbi dhe duke i’u lutur qiellit dhe tokës për të ndalur zemërimin dhe për të sjellë pjellorinë.

Ky ishte shteti ynë.

Mjaftoi vetëm 26 Nëntori për të kuptuar se kjo klasë rilindistësh të të ngjasonin me ato arrixhofkat e rrugëve dhe të plazheve të Durrësit të cilat me fjalët “Të rujt Zoti” u kërkojnë lëmoshë të tjerëve dhe u shtinë falle njerëzve për t’u ndryshuar fatin e keq në atë të mirë. Por mes këtij sinonimi krahasues identitetesh është mëse normale kur një arixhofkë bën arixhofkën, por ç’mund të thuash kur arixhofkën e bëjnë përfaqësuesit tanë, deputetët tanë, të zgjedhurit tanë lokalë dhe akoma më ulëritëse dhe vetë përfaqësuesit e shtetit, ku mjaftoi vetëm 26 nëntori për të kuptuar se ky model të zgjedhurish, nuk është as më shumë dhe as më pak sesa një mall gabi në garderobën përfaqësuese të demokracisë tonë përfaqësuese, nëse e kemi një të tillë. Ku ky model përfaqsuesish androidë që edhe vetë dhimbjen e tyre të 26 Nëntorit nuk e shfaqën nëpërmjet vetë dhimbjes së tyre por nëpërmjet dhimbjes së liderit, nëpërmjet shpërndarjes që në grup, i bënë dhimbjes virtuale së liderit nëpër rrjete sociale dhe profile Twiteri.

Ne të gjithë gabojmë kur themi që nuk ishin mjetet e duhura për të ndërhyrë gjatë emergjencës së 26 Nëntorit. Ne të gjithë gabojmë kur themi nuk kishim helmeta, qen, mjete dhe emergjenca. Jo, e verëteta është më dramatike. Ne nuk kemi institucione. Si mund të kemi mjete kur nuk kemi institucione !? Sigurisht, pasi institucionet tona ka kohë që janë kthyer në institucione virtuale, në institucione androide të një Shqipërie po aq androide të Rilindjes së Edi Ramës. Ka kohë që Rama Shqipërinë tonë e ka bërë Androide, e ka kthyer në një mbrokëll ashtu siç vetë ai i thotë qelqit android të smartphonit të tij dhe mjaftoi vetëm 26 nëntori që qelqi i Shqipërisë Androide, të shkërmoqej copash për kuptuar që institucionet e shtetit nuk janë vecse një mbrokëll prej qelqi, të shtetit virtual të Ramës dhe të Shqipërisë Androide. Ne jemi vetë dëshmimtarë, kur cdo javë vetë shefi qeverisë i fton të gjithë shqiptarët ta prekin me dorë, ku vetëm me një klik gjen një mik, pasi vetëm me një klik u sjell parlamentin në shtëpinë e tyre, vetëm me një klik u sjell gjithë kabinetin e ministrave pranë, ku vetëm me një rrëshkitje me gisht dhe me një prekje me dorë u sjell afër të gjitha institucionet shtetit për zgjidhjen e halleve dhe problemeve. Mjafton vetëm një prekje me dorë. Ne jemi të gjithë dëshmimtarë të institucioneve tona androide, të institucioneve tona platformash e portalesh prej qelqi, të shtetit tonë prej mbroklle të androidëve të Rilindjes së Edi Ramës. Ne jemi po ashtu të gjithë dëshmimtarë se dhe vetë në mbledhjet e qeverisë prioriteti kryesor është raportimi i mbrokllave të kabinetit sesa Like e Share janë bërë mbrokllave virtuale të arritjeve fake, të  shtetit android të Edi Ramës. Kjo është drama shqiptare sot pasi Shqipëria androide sot me institucionet e saj që nuk të hyjnë punë, është as më pak dhe as më shumë, po njësoj si ato gotat e qelqit të fabrikës së dikurshme të qelqit të Kavajës që nuk vlenin për asgjë, por vetëm për të zbukuruar bufetë bosh dhe të varfra të shqiptarëve. Dhe ky qelq i’u thye Ramës në 26 Nëntor, e zhveshi lakuriq Rilindjen e tij, aq sa frika ishte tipari kryesor qe e karakterizoi shtetin e rremë të tij në 26 Nëntor.

Frika e ballafaqimit të tij me të vërtëtën e shtetit android të tij. Ishte frika e tij në raport me të vërtetën, ajo që e bëri t’i frikësohej edhe statuseve të FCB, t’i frikësohej edhe një vajze 20 vjecare, t’i frikësohej dhe një aktivisteje, t’i frikësohej portaleve e gazetarëve, të cilët i ndaloi, i arrestoi e i mbylli vetëm e vetëm sepse kërkonte të fshihte frikën e tij dhe t’u impononte të tjerëve frikën e pushtetit për të fshehur të vërtetën e shtetit të tij prej qelqi. Sepse ballët e Durrrësit veçse shtuan bulëzat e djersës së pushtetit, të një pushteti të frikur të cilin edhe statuset e FCB i’u përnjëmendën në mënyrë imagjinare sikur të ishin davidët biblikë të cilët do e rrëzonin gërmadhash madhështinë e rreme të pushteti të tij dhe të shtetit prej qelqi, qelq që i’u shkërmoq në mijëra copa nga ballët e Durrësit. Sepse ballët e Durrësit dhe frika nga e vërteta e shtetit android e marramendën kur i sollën ndërmend vargjet përshatura të Ali Asllanit:

“Koha dridhet e përdridhet prej tërmetit gjashtë ballë, s’do më ngelet asgjë tjetër, veç një vulë e zezë në ballë“

Le të më urrejnë por të më frikësohen ishte deviza latine që përshkroi në ato momente psikën e shefit të Rilindjes i cili dhe qëllimin e vërtetën me shpalljen e gjendjes e jazhtëzakonshme, tregoi që e ka vetëm për t’u imponuar qytetarëve të vet frikën e pushtetit për të mos guxuar të thonë të vëretat kokëforta e lakuriqe, për të fshehur të  vërtetën e shtetit të tij android prej qelqi dhe të arkës bosh të tij sepse kur e mendon, shqiptarët nuk kanë nevojë për gjendje të jashtëzakonshme për të qenë të unifikuar rreth solidarititetit njërëzor pasi këtë e kanë treguar dhe me solidaritetin ndaj hebrenjve përballë pushteteve naziste dhe jo më mes njëri-tjetrit në shtetin e tyre, por kurrë nuk e kishin menduar që do të ishte shteti i tyre do t’i ndalonte në kulmin e nevojës për solidaritet.

Dhe kur e mendon që në emër të solidaritetit të arrestosh, të ndalosh qytetarët e tu gazetarë, aktivistë dhe të mbyllësh media e portale, për të mos guxuar të thonë të vërtetat kokëforta të një pushteti të frikur me synimin e vetëm për t’a fshehur të vertetën e shtetit prej qelqi dhe të arkës bosh të tij. Sepse në Rilindjen e Ramës gjithcka është bosh. Sepse Rama është një bosh në gravitetin e një shtetari, sepse Rilindja e Ramës është një bosh në raport me gravitetin e ligjësisë dhe përgjegjshmërisë politike, është një bosh ndaj gravitetit të përgjegjësive institucionale, një bosh ndaj respektimit të shtetit kushtetues, një bosh ndaj forcës së rëndesës së mendimit intelektual, një bosh ndaj peshës së rëndë të mendimit shkencor, një bosh ndaj peshës së rëndë të agorës së njerëzve të ditur të këtij vendi, një bosh ndaj peshës së rëndesës të prioriteteve të mungura mbi strategjitë me prioritet kombëtar mbi konsolodimin e shtetit në rrafshin ekonomik, social, arsimor, shëndetësor, të rendit, sigurisë e gjithçka tjetër.

Dhe ky bosh i tij dhe i rilindistëve të tij, bën që mungesa e peshës së shtetit të tij ta ngrejë atë lart si një tullumbace. Mungesës së forcës së rëndesës së boshit të tij ndaj shtetarit, përgjegjshmërisë politike, përgjegjësive institucionale, mungesës së gravitetit ndaj shtetit kushtetues dhe normave juridike, ndaj mendimit intelektual dhe ndaj strategjive kombëtare të reformave të thelbit e jo të boshit. Dhe mungesa e forcës së rëndesës krijon dhe efektin e kundërt ndaj shtetit të tij të cilin e ngre lart si një tullumbace. Dhe për të fshehur këtë dështim të boshit të shtetit të tij tullumbace, Rama këtë bosh u’a servir shqiptarëve si një shfaqje, duke ngjyrosur dhe tulllumbacet të cilat i fryn akoma më shumë për t’u ngritur sa më lart dhe duke bërë përherë komedianin përballë dramës shqiptare të Shqipërisë djerrë, të Shqipërisë së varfër, të Shqipërisë së grabitur, të Shqipërisë së boshatisur.

Dhe këtë nuk e them unë por e thonë të gjitha raportet ndërkombëtare dhe institucionet serioze. E shprehin raportet ndërkombëtare nivelin e korrupsionit në Shqipëri, flasin raportet ndërkombëtare mbi dramën shqiptare të boshatisjes, të  ikjes së njerëzve nga vendi i tyre, e shpreh Instati kur thotë që dhe niveli i varfërisë në Shqipëri ka pësuar rritje të frikshme.

Sepse për audience në auditorin e modës së Ramës, nuk duhet që edhe askush të mos guxojë ti marrë shkëlqimin e sfilatës së tullumbaceve plot ngjyra që ngrihen lart prej boshit të tij, sepse kush guxon e pëson si Vejush Veliaj i cili pasi u divorcua prej Mjaft-it dhe G 99-ës në sytë e shkëlqesisë së tij, e ka ende të largët ëndrrën me shkesi për të bërë prikë me Partinë Socialiste, pasi për shkëlqesinë e tij, Vejush Veliaj është ende një vejush për të qene kandidat për dhëndër dhe është një bojaxhi i cili duhet të vazhdojë të lyejë me furçë dhe pompë sfilatat pompoze të tullumbaceve të shkëlqesësisë së tij.

Sepse jetojmë në shtetin e boshit me ngjyra dhe android të Ramës dhe Rilindjes së tij.

Sepse për të kuptuar thelbin dhe boshin e Ramës duhet të kuptosh Ramën e 26 nëntorit dhe Ramën e 21 Shtatorit, ku nuk u zhvillua asnjë përgjegjësi dhe ndjesi shtetare e institutucionve androide të tij për t’i paraprirë sadopak dramës së 26 Nëntorit me parajalmërimin që solli 21 Shtatori.

Sepse për të kuptuar thelbin dhe boshin e Rilindjes mjafton të kuptosh reformën katrahurës së boshit në arsim dhe vëmendjes ndaj fasadave me bojë të godinave të shkollave dhe auditorëve kur mesatarja e nxënësve dhe studentëve në nivel kombëtar është e trishtueshme.

Sepse për të kuptuar thelbin dhe boshin e Rilindjes, mjafton të kuptosh reformën e boshit në shëndetësi ku në spitalet tona publike mund të bësh vetëm analizat e urinës ndërsa të tjerat tek privati.

Sepse për të kuptuar thelbin dhe boshin e Rilindjes, mjafton të kuptosh reformën e boshit në bujqësi, ku të gjithë ata që punojnë tokën, Rilindja i fton në një shesh me pllaka.

Sepse për të kuptuar thelbin dhe boshin e Rilindjes, mjafton të kuptosh reformën dhe vëmendjen e boshit ndaj sportit, ku ndërtohen qendra tregtare me stadium brenda dhe kampionët kombëtarë të sporteve të këtij vendi, i shohim në tv, ku nuk sigurojnë dot as bukën e gojës.

Sepse për të kuptuar thelbin dhe boshin e Rilindjes mjafton të kuptosh britmat rilindase që nuk gjeje drejtësi sespse nuk gjeje gjyqtarë, ndërsa sot kërkon drejtësi, por nuk gjen gjykata.

Sepse për të kuptuar thelbin dhe boshin e Rilindjes, mjafton të kuptosh damkën e turpin që i vuri shumica e shqiptarëve, ku nuk nuk kishin minimumin e besimit tek qeveria dhe donacionet e tyre i shpërndanë në llogari të tjera joqeveritare.

Sepse për të kuptuar thelbin dhe boshin e Rilindjes, mjafton të kuptosh që përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave për t’a afruar Shqipërinë me Europën, i përmbushën dhe hapën ashtu si dikur kur fërkonin me një letër alumini  kabllin e televizorit për të kapur frekuencat televizive europiane, shtu me miza.

Sepse mjafton që të kuptosh që Rilindja e boshit e ka qëllimin edhe mendjen që aksionin e rindërtimit me lekët e donacioneve, t’a kthejë në kauzë për të rritur aksionet e veta elektorale, sepse vetëm kaq mjafton që të kuptosh se thelbi i familjes rilindase, i ngjason atyre familjeve perverse ballkanase që hapnin dyert e mortit për ngushëllim dhe lekët e hedhura të ngushëllimit të dhjetorit i kursenin për t’i përdorur për dasmën e gushtit.

Janë të panumërta shembujt e tillë dhe nuk dua që këtyre argumenteve kokëforta t’i jap dhe aromë narkotikësh, pasi për këtë kanë folur dhe institucionet prestigjioze ndërkombëtarë në raportet e tyre, por për të kuptuar tamam thelbin dhe boshin Rilindjes në luftën dhe vullnetin e saj ndaj narkotikës, mjafton të kuptosh shpalljen që Rilindja i bëri Lazaratit si delja e zezë e republikës, për t’i shpërndarë më pas deshtë e Rilindjes në të gjithë Republikën.

Sepse për të kuptuar edhe vetë ungjillin sipas Ramës dhe thelbin e vetë fjalëve të shenjta që i përdori vend e pa vend, mjafton t’i kujtojmë dhe qenin që i tha “pusho” kur i lehu gërmadhash, por edhe t’a përmendim duke i kujtuar se cfarë thotë Kurani kur të lehin qentë dhe nëse se di, le ta lexojë që në Kuran qentë lehin kur shohin shejtanin, kur shohin dexhallin dhe besojmë se këtë e di dhe Elvis Naçi.

Janë të panumërta shembujt e boshit të shtetit android të Rilindjes dhe pikërisht për këtë fakt Rama nuk e ka një bilanc për t’u folur shqiptarëve për zhvillimin ekonomik të vendit, për rritjen e mirëqenies, të punësimit, të sigurisë në këtë vend, të investimeve me buxhetin e shtetit, të investimeve të huaja, të meritokracisë, e shumë e shumë  të tjera, pasi bilanci i Rilindjes është mizerabël dhe ky bilanc mizerabël i boshit të tij, i fton shqiptaret ne beteja te rreme, kur shpik dreqër, armiq imagjinare, sepse fajin e kanë forcat e erresirës dhe janë djajtë ata që e pengojnë dhe shfaqet si hoxhë ku u këndon shqiptarëve për alaeancën me qytetarët për të ndërtuar Shqipërinë e gjenetarës së re, ndërsa gjenartës aktuale u shfaqet si pastor duke i predikuar për lumturinë që do ta gjejnë në botën e përtejme.

Sepse Rama dhe boshët e tij nuk kanë faj, për ta gjithmonë fajin e kanë ata, ata të tjerët para tij për boshin e tij fajin e akoma Ylli Bufi, Tritan Shehu, Fino, Majko, Meta, Nano, Berisha edhe pse Nano t’i japësh hakun ku prej të kaluarës prej nga vinte Partia Socialiste  e shndërroi në një parti firmato, ndërsa Rama e ktheu atë në një parti me tatuazhe.

Sepse kjo është Rilindja e Ramës, Rilindja e boshit pa bosht dhe pa parime, që shfaqen herë si republikanë, herë si zogistë, herë si socialistë, herë si ballistë, herë si demokratë, herë si partizanë, herë si të persektuar, herë si myftinj, herë si jehudinj, herë si priftërinj, e herë si pastorë. Rilindja e boshit të identiteteve të dyzuara dhe anonime të boshëve të tij  të kabinetit android dhe të androidëive të tij të qarqeve. Sepse kjo është Rilindja, një organizatë amorfe me një organizim të patratajtë, e paorganizuar për objektiva, por e mirëorganizuar për qëllime. Sepse këta boshër anonimë pa parime dhe identitete shtetare, politike dhe publike, nuk e kanë për gjë të mburren për gjëra që si kanë bërë kurrë, të quajnë arritje bilancin e tyre mizerabël, këta xhonglerë të situatave që për mëkatet e tyre bëjnë përgjegjës të tjerë. Sepse sindromi i Rilindjes së tyre është ai i lakuriqit të natës, që kur ndesheshin zogjtë me minjtë dhe fitonin minjtë pjesa prej miu e lakuriqit të natës nxitonte të gëzonte fitoren me ta dhe kur përsëri ndesheshin zogjtë me minjtë dhe fitonin zogjtë, pjesa prej zogu e lakuriqve futej mes tyre dhe gëzonte fitoren së bashku me zogjtë. Dhe këtë nuk e them unë, por raportet e organizatavave prestigjioze ndërkombëtare për arratinë e Shqipërisë ndër vendet me korrupsionin më të lartë në glob, sepse sindromi i Rilindjes dhe i rilindistëve te kjo racë e lakuriqëve të natës, është ai miut, i brejtësit, i brejtësit të themeleve të një shteti serioz dhe kushtetues, i brejtësit të interesave publike, i brejtësve të rryfshveteve, të tenderave, të prokurimeve dhe pasi pjesa e tyre prej miu i bën të gjitha këto në aleancë me minjtë, shqiptarëve u nxjerrin pjesën e tyre prej zogu duke u bërë madje dhe shqiponjën me duar.

Dhe shqiptarët që kanë vuajtur ndër dekada delirin e shqiponjave, rrinë ende e bëjnë sehir krekosjen dhe talljen prej këtyre lakuriqëve të natës.

Sepse kur shikon që boshët e Rilindjes, Shqipërinë e vetëm 100 km2 e kthyen në koncesione PPP miliona euro interesit privat për km, miliona euro interesit privat për koncesione, miliona për PPP, miliona për trarët privatë të rrugës së kombit, rri e mendon se çfarë mund t’i bejnë ende këta boshër Shqipërisë së 28.000 km2, nëse vazhdojmë ende t’i bëjmë sehir këtyre lakuriqve të natës.

Acta est fabula-Shfaqja tanimë mbaroi- i doli boja, do të thoshte dikur edhe vetë Augusti dhe në këtë panoramë dramatike dhe augustësh të shtetit tonë android dhe të boshit të Rilindjes së Ramës, këtij raformuesi institucionesh të vinë ndërmend leksionet e Dostojevskit mbi idiotët e tranzicionit.

Por në ndryshim nga Dostojevski ku idioti i tij shkel cdo normë dhe prapë i’a del të jetë madhështor, Rilindjes ediote të Ramës dhe boshit të tij, nuk do t’i themi as idiot dhe as ediot, por një BOSH dhe siç thoshte Dostojeveski për idiotin e tij …….Kur në kohë të turbullta, luhatjesh dhe tranzicioni shfaqen kudo e gjithmonë ca boshër të cilët shpesh shpejtojnë për qëllime të paracaktuara dhe përcaktuara mire. Nuk e kam fjalën për idiotër, por për boshër të boshit dhe aspak të thelbit…..Në cdo kohë tranzitore dalin në sipërfaqe e ngjiten lart disa boshër që ekzistojnë në cdo shoqëri, të cilëve nuk u mungon vetëm qëllimi por dhe aftësia për t’i bërë për vete të tjerët duke i mashtruar nëpërmjet shfaqjeve spektaktlit dhe ngjyrave. Këta boshër pa e ditur as vetë bien e vihen nën komanden e nje klike te vogel që veprojnë sipas nje qëllimi të përcaktuar dhe është kjo klike që më pas i orienton këta boshër aty ku klikës i duhet ndonëse kjo klike ndodh që të jete e përbërë edhe vetë prej idiotesh të vërtete. Dhe më pas qytetarët dhe mendjet e ditura dhe ato me të ndritura habiten dhe i bëjnë pyetjen vetes. Si i’a lejuam vetes të mashtrohemi prej tyre?

Dhe si vazhdojmë ende t’i lejojmë vetes të mashtrohemi prej tyre, të tallemi prej tyre, të përçmohemi prej tyre.

Qytetarë, shqiptarë, socialistë, demokratë, gazetarë, aktivistë, studentë, të rinj e të reja, e kushdo tjetër, sot më shumë se kurrë është koha për t’u bërë bashkë, sepse nesër, tendenca e dukshme e rregjimit rilindist, do të n’a shndërroje të gjithëve në automatë të pushtetit të tij dhe të Shqipërisë Androide të Rilindjes së boshit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu