Një seri e gjatë akuzash për shkelje ligjore e proceduriale kundër Posta Shqiptare sh.a, të artikuluara zyrtarisht nga Sindikata e Punonjësve të Post-Telekomit Shqiptar, mbetën pa përgjigje nga institucioni i drejtuar nga Laert Duraj, në vijim të një kërkese për informim të redaksisë së “Boldnews.al”.

Rreth dy javë më parë, Sindikata e Punonjësve të Post-Telekomit Shqiptare (SPTSH) përcolli një njoftim mediatik, në të cilën rendiste një numër të gjatë shkeljesh të zyrtarëve të Posta Shqiptare sh.a, lidhur me procedurat për përzgjedhjen e organizatës sindikaliste që do të nënshkruante kontratën me institucionin, për mbrojtjen e interesave të rreth 2500 punonjësve.

Sipas SPTSH, e gjithë procedura e drejtuar nga titullari i Posta Shqiptare, Laert Duraj, që në Shkurt 2018 e deri në Prill 2019, është shoqëruar me shkelje ligji dhe dyshime për lidhje nepotike.

Procedura e dyshimtë
Në Shkurt 2018, Posta Shqiptare sh.a publikon “Thirrjen” për organizatat sindikaliste, për të prezantuar projektin e tyre, me qëllim që të identifikohej fituesi, pra ai organizëm që do të nënshkruante “Kontratën Kolektive” me atë institucion.

Në përfundim të procedurave, në Prill 2019, “Posta Shqiptare” sh.a përzgjodhi të nënshkruante “Kontratën” me Sindikatën e Punonjësve të Postës Shqiptare.

Ky konkluzion shkaktoi reagimin e fortë të Sindikatës së Punonjësve të Post-Telekomit Shqiptare, e cila akuzon trupën drejtuese të Posta Shqiptare sh.a se ka manipuluar të gjithë procesin për të shpallur fitues një Sindikatë, për të cilën kanë dyshime se ka lidhje me zyrtarë të brendshëm të institucionit të Laert Duraj.

Boldnews.al”, në vijim të këtij denoncimi publik, iu drejtua zyrtarisht “Posta Shqiptare”, për të marrë versionin e tyre mbi këto akuza.

Në përfundim të afatit ligjor 10-ditor, Posta Shqiptare nuk vlerësoi të jepte përgjigje mbi pikëpyetjet publike.

Nga ana tjetër, Sindikata e Punonjësve të Post-Telekomit Shqiptare (SPTSH) ka vendosur që të ndjekë ligjërisht dyshimet e tyre për shkeljet proceduriale nga ana e Posta Shqiptare sh.a.

Drejtuesi i SPTSH, Renato Muçaj, në një komunikim telefonik me “Boldneës.al”, deklaroi se po përgatisin një padi kundër Posta Shqiptare sh.a, të cilën do e depozitojnë pranë Gjykatës Administrative.

Në vlerësimin tonë, Posta Shqiptare sh.a ka shkelur ligjin dhe procedurën e ndaj do të kërkojnë në Gjykatën Administrative shpalljen e pavlefshmërisë absolute të kontratës që është nënshkruar së fundmi”, deklaroi kreu i SPTSH, Muçaj.

Shkeljet (e pretenduara) të Laert Duraj
Në njoftim e gjatë zyrtar, Sindikata e Punonjësve të Post-Telekomit Shqiptar, rendit shkeljet sipas saj, të cilat “Boldnews.al” i ka përmbledhur, si më poshtë:

1. Administratori i “Posta Shqiptare” sh.a, z. Laert Duraj, ka shpallur “Njoftimin” dt. 22.01.2018 për “Thirrje sindikatave për të paraqitur dokumentacionin përkatës për fillimin e bisedimeve për kontratën kolektive”.

Në bazë të kësaj “Thirrjeje”, siç konstaton SPTSH, Administratori i “Posta Shqiptare” sh.a ka përdorur, në mënyrë të gabuar, referencë në ligjin nr. Ligjit nr.7516, date 07.10.1991 “Për Sindikatat në Republikën e Shqipërisë”. Sipas SPTSH, referenca e saktë ligjore duhet të ishte Kodi i Punës, i miratuar në vitin 1995.

Duke mbështetur idenë se referenca ligjore është e gabuar, SPTSH deklaron se edhe kërkesat formale për dokumentacion që duhet të dorëzimin aplikantët, ishte e gabuar dhe si rrjedhojë do të sillte një procedurë të gabuar nga ana e “Posta Shqiptare” sh.a

2. SPTSH bën me dije se “Posta Shqiptare” sh.a, në datën 06.04.2018 ka njoftuar Sindikatat pjesëmarrëse në procedurë se asnjë prej tyre nuk është kualifikuar, për shkak të mungesës së dokumentacionit.

SPTSH pretendon se ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, bazuar në kriteret ligjore, e konkretisht nenet 163-165 të Kodit të Punës. Referuar këtyre normave ligjore, SPTSH deklaron se është përjashtuar në mënyrë arbitrare nga e drejta për të nënshkruar “Kontratën Kolektive” me “Posta Shqiptare” sh.a. Gjithashtu, SPTSH deklaron se nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare mbi pretendimet e saj, të dorëzuara zyrtarisht pranë “Posta Shqiptare” sh.a

3. SPTSH deklaron se, në fshehtësi të plotë dhe pa njoftim zyrtar dhe shpallje të re, ‘Posta Shqiptare” sh.a ka vendosur të vijojë procedurën e lidhjes së Kontratës Kolektive me “Sindikatën e Punonjësve të Posta Shqiptare”.

4. Pas kundërshtive zyrtare të SPTSH dhe pas kërkesës së saj drejtuar Ministrisë së Financave, është krijuar “Zyra Kombëtare e Pajtimit”. Sipas SPTSH, “përfaqësuesja e Posta Shqiptare, znj. Nisa Sinanaj, para Zyrës së Pajtimit, ka deklaruar të dhëna të rreme kur ka deklaruar se Thirrjes i janë përgjigjur 4 sindikata, ndërkohë që dokumentat zyrtare dhe të publikuara dëshmojnë se kanë qenë 5 të tilla”.

5. SPTSH denoncon se “Sindikata e Punonjësve të Posta Shqiptare” favorizohet nga zyrtarë të institucionit, duke ndryshuar dokumentacionin zyrtar, datat dhe regjistrimin në protokollin e institucionit.

Për këto akuza publike, “Boldnews.al” i kërkoi versionin e saj edhe ‘Posta Shqiptare” sh.a, me një kërkesë të datës 22 Janar 2020. “Posta Shqiptare”, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk iu përgjigj interesimit të redaksisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu