Ish-ministri i Jashtëm Tritan Shehu, kritikoi në studion e Ditari në A2 kryeministrin Edi Rama për deklaratat e tij kundër kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Të sulmosh liderët e Kosovës në krah të Vuçiçit, kalon çdo cak jo vetëm të patriotizmit, por edhe të etikës dhe moralit ndaj kolegëve. Ai ishte shpërthim i detyruar si pasojë e dështimit të plotë të këtij minishengeni, që ishte në kundërshtim me interesat tona dhe denigrues për Kosovën-tha Shehu.

Sipas tij, Minishengeni Ballkanik është ndesh me interesat e shqiptarëve dhe përputhet me ëndrrën serbe të krijimit të Jugosllavisë së re, që do të dominohet nga Serbia.

Kosova lihet në hije, duke humbur tërësisht konceptin e shtetit të saj. Ka një platformë konfidenciale, që ata zotërinj nuk kanë guxim që ta publikojnë, që është e rrezikshme dhe është ndesh me interesat tona. Kjo platformë qarkullon nën tavolinë në zyra të ndryshme të rajonit dhe Evropës. Nuk ka përfitim ekonomik për Shqipërinë, por vetëm për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne kemi pasur rritje ekonomike falë investimeve të huaja, por ka 6 vite që kjo rritje u ndërpre pasi u krijua narkoshteti, jo sepse nuk ishim në minishengen. Serbia do të zgjerojë tregun e saj, ndërkohë që ne që jemi vendi më i afërt me Perëndimin, nuk përfitojmë asgjë. Që të rregullojmë zhvillimin tonë ekonomik, duhet të rregullojmë politikat fiskale dhe të luftojmë korrupsionin-u shpreh Shehu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu