Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti demokrat i Qarkut Gjirokaster, Prof. Dr. Tritan Shehu, e ka cilësuar si shumë shqetësuese vdekshmërinë foshnjore që ka ardhur në një rritje progresive prej vitit 2012.

Sipas Shehut ky është një tregues shumë i rëndësishëm që lidhet me nivelin e sistemit pediatrik, farmaceutik, spitalor, ekonomik si dhe edukimin në tërësi të popullsisë apo konkretisht edukimin shëndetësor.

“Ne i jemi afruar nivelit të vdekshmërisë foshnjore që kemi pasur në kohën e komunizmit,” – u shpreh ish-ministri i shendetesise Shehu.

Gjithashtu Shehu tha se ky është një alarm që duhet të ngrihet dhe nuk ka dyshim se jemi përballë një katastrofe.

Sipas tij po shkojmë drejt zhdukjes së popullsisë shqiptare duke marrë parasysh rritjen e vdekjeve foshnjore, numrit të aborteve dhe uljen e lindshmërisë, që siç specifikoi ish-ministri është 1.7 për grua.